close
95496276_2973736956005891_2790977492490387456_o

Bota sot e shënon Ditën ndërkombëtare të punës me deri tani rrethana të papara – ngecje pothuajse të plotë të aktiviteteve ekonomike për shkak të virusit korona. Miliona njerëz i humbën vendet e tyre të punës, ndërsa ekspertët parashikojnë recesion të thellë global. Në Maqedoninë e Veriut në të gjitha urimet për 1 Maj nga ana e politikanëve theksohen angazhimet për shpëtim për vendet e punës. Organizatat e punëtorëve jo vetëm që shënojnë mijëra shkarkime nga puna, por theksojnë edhe shkelje të tjera të të drejtave të punëtorëve.

Më shumë se një shekull pas “Internacionales së dytë” të së majtës së atëhershme dhe sindikatave, me kërkesë për orar të punës tetëorësh dhe të drejta të tjera për “proletariatin”, të punësuarit në botë sot përballen me krizën më të madhe deri tani të ngelin pa të ardhura dhe pa  të drejta të punëtorëve. Në vend të marshit të vërtetë të 1 Majit, në kushte të krizës korona, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut me pamje nga arkiva sot përkujtoi kërkesat tradicionale.

“Investime më të mëdha, politika më të mira ekonomike dhe sigurim i të drejtave për punë të të gjithëve…Krijimi i vendeve të punës reale  dhe të qëndrueshme.”

Që në fillim të krizës, në mars, kur filloi mbyllja e objekteve hotelierike, kompanive transportuese dhe turistike, një numër i madh i njerëzve mbetën pa punë ose pa shumën e plotë të pagës. Shifrat e plota duhet t’i publikojë Agjencia e punësimit, thekson Kristina Ampeva, nga organizata joqeveritare “Glasen tekstilec”.

“Sa dorëheqje me marrëveshje ka pasur, sa kontrata në kohë të caktuar kanë skaduar, sa ka pasur shkelje të rendit dhe diciplinës, këto shifra duhet të na i jep Agjencia e punësimit. Sipas njohurive tona, nga shifrat që i kemi në mars, për rreth 2000 të punësuar ka heqje kolektive nga puna. Shënojmë pagesa prej 4000, 6000 dhe 9000 denarëve për ata që nuk kanë qenë në punë për shkak të ruajtjes së fëmijëve dhe masave të tjera qeveritare”, tha Ampeva.

Përkundër këtij realiteti, në urimet e sotme për 1 Maj nga ana e politikanëve kryesisht flitet për përpjekje për ruajtjen e vendeve të punës, në kushte të ngecjes ekonomike. Qeveria, e cila ka publikuar pakon për ndihmë të biznesit, në bisedë me sindikatat kanë definuar bazën për mbështetje.

“Patëm takim konstruktiv me sindikatat dhe me organizatat qytetare për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Biseduam për mbështetjen financiare qeveritare për dhënien e pagave dhe shpëtim të vendeve të punës. Në të ardhmen do të intensifikohet dialogu ekonomik dhe social”,tha Spasovski.

Në disa nga urimet ndahet hapësirë për falenderim të veçantë për punëtorët shëndetësorë, të cilët janë në luftë të drejtpërdrejtë me virusin korona, duke vënë në rrezik veten dhe familjet e tyre. Pas kritikave se rreth 200 punëtorë shëndetësorë, të sëmurë me Covid-19 në vendin e punës, paguajnë participim për shërim dhe kanë paga më të ulëta për shkak të pushimit mjekësor, Fondi i Shëndetësisë ka premtuar se ato mjete do t’ua kompenzojë./KlanMacedonia

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia