close
Bota

42 ditë luftë: SHBA & BE, sanksione më të ashpra kundër Rusisë

putini-me-vajzat

SHBA dhe BE pritet të vendosin më shumë sanksione ndaj Rusisë mes akuzave për krime lufte në qytetin ukrainas të Bucha.

Washington-i thuhet se po shqyrton masat që synojnë dy vajzat e Putin dhe bankën më të madhe të Rusisë.

SHBA njofton gjithashtu se do të rrisë ndihmën ushtarake duke dërguar 100 milionë dollarë në sistemet e raketave antitank Javelin në Ukrainë.

Ndihma vjen pasi Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky listoi mizoritë e supozuara ruse, në një fjalim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Duke shfaqur një video të tmerrshme, ai pretendoi se civilët ishin qëlluar në rrugë, ishin hedhur në puse dhe ishin shtypur nga tanket.

Rusia mohoi çdo krim lufte dhe ambasadori i saj në OKB përsëriti pretendimet se nuk ka trupa të vrarë në rrugët e Bucha.

SHBA dhe BE, sanksione më të ashpra kundër Rusisë

Udhëheqësit perëndimorë do të prezantojnë një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë të mërkurën, thanë SHBA. Thirrjet për sanksione të mëtejshme janë shtuar ditët e fundit në mesin e akuzave për krime lufte në Bucha.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se masat do të synojnë organet financiare dhe shtetërore ruse, si dhe disa zyrtarë dhe oligarkë. Psaki shtoi se kjo lëvizje do të “bëjë përgjegjëse kleptokracinë ruse që financon dhe mbështet luftën e Putin”.

Sanksionet, të cilat pritet të përfshijnë një ndalim për të gjitha investimet e reja në Rusi, do të “degradojnë instrumentet kryesore të pushtetit shtetëror rus, do të imponojnë dëm ekonomik akut dhe të menjëhershëm ndaj Rusisë”, u tha Psaki gazetarëve të martën.

Ukraina do të marrë Javelin të tjerë

Në raundin më të fundit të ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, zyrtarët amerikanë thanë të martën se do të japin 100 milionë dollarë për raketa Javelin.

Kjo sipas BBC, është paketa e gjashtë e ndihmës me pajisje ushtarake që SHBA i jep Ukrainës që nga Gushti.

Paketa e fundit do të thotë se 1.7 miliardë dollarë pajisje ushtarake janë parashikuar për Ukrainën vetëm nga SHBA që nga fillimi i sulmit rus më 24 Shkurt, sipas Departamentit të Shtetit të SHBA.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha në një deklaratë se paratë e sapo autorizuara do të “plotësojnë një nevojë urgjente të ukrainës për sisteme shtesë të raketave antitank Javelin, të cilat Shtetet e Bashkuara ia kanë ofruar Ukrainës dhe ata i kanë përdorur në mënyrë kaq efektive për të mbrojtur vendin e tyre”.

Kryebashkiaku i Bucha: Rusët vranë 320 civilë

Kryetari i bashkisë së Bucha tha për BBC se rreth 320 civilë u qëlluan për vdekje nga trupat ruse gjatë pushtimit të qytetit. Anatoli Fedoruk tha se kishte parë personalisht ekzekutimet e disa peronave nga forcat e Moskës.

“Kam parë disa episode,” tha Fedoruk. “Ishin tre makina civile që përpiqeshin të evakuoheshin drejt Kievit dhe ata u qëlluan brutalisht. Ishte një grua shtatzënë, burri i së cilës po bërtiste duke i kërkuar të mos e qëllonte, por ata thjesht e qëlluan brutalisht.”

Fedoruk gjithashtu pretendoi se forcat ruse kishin gjuajtur politikanë vendas gjatë pushtimit të tyre.

Ai i bëri thirrje ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili ka mohuar akuzat për krime lufte nga trupat e Moskës, të “kalojë në qytetin Bucha dhe të shohë trupat e njerëzve të vdekur dhe të shikojë në sy familjet, nënat, burrat e tyre, fëmijë që mbetën jetimë”.

Sanksione edhe për vajzat e Putin?

SHBA dhe Bashkimi Europian do të vendosin sanksione shtesë ndaj Rusisë të mërkurën në përgjigje të akuzave të Ukrainës se trupat ushtarake ruse kanë kryer krime lufte në qytetin e Bucha.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se SHBA do të ndalojë investimet e reja në Rusi dhe do të vendosë sanksione të mëtejshme ndaj institucioneve financiare ruse, si dhe zyrtarëve të Kremlinit dhe familjeve të tyre.

Wall Street Journal raporton se Washingtoni po shqyrton sanksione shtesë kundër dy vajzave të Putinit dhe Sberbank, banka më e madhe ruse.

Ambasadorët e BE-së do të shqyrtojnë të mërkurën planet për një paketë të pestë sanksionesh, që përfshin ndalimin e importeve të qymyrit rus dhe parandalimin e shumicës së anijeve në pronësi ose operim ruse nga përdorimi i porteve të BE-së.

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia