50 sekondat e pritjes së Erdoganit tregojnë sa ka ndryshuar Putini, pas agresionit në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin, qëndroi i ngrysur në një dhomë përballë një turme gazetarësh, teksa priste të takohej me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

Videoja e marrë para takimit në Teheran, tregon Putinin duke u shqetësuar, duke e zhvendosur peshën e tij nga këmba në këmbë, dhe duke bërë një sërë mimikash para kamerave për pothuajse një minutë të plotë, derisa Erdogan më në fund erdhi për ta përshëndetur.

Këto sekonda ishin jo të zakonshme për udhëheqësin rus, i cili ka njihet për mbajtjen e liderëve botërorë në pritje, qëllimisht, ndonjëherë deri në disa orë pritje.

Disa kanë spekuluar se mund të jetë hakmarrje për takimin e Moskës në vitin 2020, ku Erdogan priti aq gjatë për të hyrë në sallën e mbledhjeve, saqë u ul.

Kur Putin e pa Erdoganin që po i afrohej, ai ngriti duart paksa i mërzitur, sikur donte t’i thoshte: “Epo, ku je deri më tani?”.

“Këto 50 sekonda që Erdogan e bëri Putinin të presë flasin shumë për atë se sa shumë ka ndryshuar që nga Ukraina”, komentoi në Tëitter Joyce Karam, korrespondente e lartë për organizatën mediatike të Lindjes së Mesme, “National News”.

Karam e quajti situatën “hakmarrje të ëmbël”, pasi Putini e la liderin turk duke pritur rreth dy minuta para takimit në vitin 2020.

Mediat turke raportuan në atë kohë se Erdogan dhe ekipi i tij mbetën të poshtëruar pasi u detyruan të prisnin jashtë në holl, shkruan Jutarnji, transmeton Klankosova.tv.

Disa kanë spekuluar se vonesa e Putinit në takimin me udhëheqësit ndërkombëtarë është një politikë e kalibruar psikologjike që shkon prapa në ditët e para të presidencës së tij. Në vitin 2003, Putini u vonua 14 minuta për të takuar mbretëreshën Elizabeth II, dhe një vit më parë prindërit e fëmijëve të vdekur në një aksident avioni, e pritën në varreza për rreth dy orë.

Putin erdhi me një orë vonesë në takimin e tij me Papa Françeskun në Vatikan, më 2015, dhe në vitin 2018, presidenti i atëhershëm i ShBA-së, Donald Trump, priti 45 minuta para një samiti të planifikuar në Helsinki me presidentin rus.

Siç raporton Radio Evropa e Lirë, në vitin 2014, Angela Merkel u mbajt në pritje për katër orë e 15 minuta për një takim me Putinin, teksa Viktor Janukoviç, kur ishte president i Ukrainës, priti katër orë para se të ulej me liderin rus.

https://twitter.com/ASLuhn/status/1549486005023133704

Lexo gjithashtu
Total
0
Share