close
Top LajmeVendi

A DO TË GJEJNË PARTITË KONSENSUS PËR MODELIN ZGJEDHOR?

Screenshot_9

Zaev: Nëse institucionet janë të gatshme, procedura është e thjeshtë!


Mbetet dilema nëse partitë politike do të gjejnë pajtueshmëri dhe ndryshimin e modelit zgjedhor do ta bëjnë me konsensus. Sipas kryeministrit Zoran Zaev një njësi zgjedhore është zgjidhja më e përshtatshme, ndërsa për VMRO-DPMNE-në modeli i shumicës. Nga BDI thonë se është absurde disa muaj para zgjedhjeve të flitet për ndryshimin e modelit zgjedhor.

Kryeministri Zoran Zaev sot shprehu optimizëm se do të arrihet konsensus për ndryshimin e modelit zgjedhor me një njësi zgjedhore dhe për këtë propozim socialo-demokratët presin mbështetje në Kuvend.

“Mendoj se kemi mbështetje, unë nuk jam iniciator kur e them këtë. Partia më e madhe politike nga bashkësitë më të vogla etnike është BDI, mendoj se ka gjithsejt 23 shqiptarë në Kuvend, BDI ka 10 deputetë, ku janë bashkësitë tjera më të vogla? Do ta shohim gjatë votimit nëse pajtohen, ta bëjmë një hap, nëse nuk kemi sukses, që shpresoj se nuk do të ndodhë, do të bëhet presion të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme.”-tha Zoran Zaev, Kryeministër

Mundësia për pranimin e idesë për ndryshimin e modelit zgjedhor është e hapur, thonë nga VMRO-DPMNE. Ata propozojnë modelin e shumicës me 120 njësi, i cili sipas tyre është më transparenti.

“Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar, propozimi ynë është model i shumicës me 120 njësi dhe zbatimi i tij pas zgjedhjeve, sepse është shumë e papërgjegjshme të bëhet ndryshim i modelit zgjedhor disa muaj para zgjedhjeve. Kjo do të shkaktojë probleme shtesë edhe për procesin zgjedhor edhe për partitë politike.” -shprehet Igor Janushev, VMRO-DPMNE

Për partnerin e koalicionit në qeveri, BDI, ndryshimi i modelit zgjedhor në një vit zgjedhor është i palejueshëm, ndërsa propozimin për ndryshim e shohin si absurd disa muaj para zgjedhjeve. Opozita në bllokun shqiptar është për ndryshim. Aleanca për shqiptarët e Ziadin Selës doli më një propozim krejtësisht tjetër – krijimi i tetë njësive zgjedhore. Nga BESA kërkojnë të votohet në tri njësi zgjedhore, në vend të gjashtë njësive, me lista të hapura. /Verica Dimitrijevska/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia