close
Bota

ADMINISTRA AMERIKANE ME MASA KUNDËR KORONAVIRUSIT

PAKETË EKONOMIKE PREJ DY TRILIONË DOLLARËSH


Administrata amerikane ka bërë të ditur këtë të mërkurë se ka arritur një marrëveshje mbi një paketë ekonomike të shpëtimit prej 2 trilion dollarësh, për të ndihmuar punëtorët dhe bizneset të përballen me gjendjen e krijuar për shpërthimit të koronavirusit. Zëri i Amerikës njofton se teksti i projekt-ligjit pritet të hidhet për votim në Senat dhe më pas do të dërgohet në Dhomën e Përfaqësuesve. Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar rreth 55 mijë raste të konfirmuara të të infektuarve me koronavirus  nga i cili raportohet që të kenë humbur jetën rreth 700 veta.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, tha se projektligji është “larg të qenit i përsosur”, por me përmirësimet që i janë bërë gjatë disa ditë negociatash, do të duhej të miratohet shpejt.

Ndërkaq udhëheqësi i shumicës Mitch McConnell tha se “ndihma është rrugës”, duke e përshkruar vendimin si një lajm të mirë për mjekët dhe infermierët në të gjithë vendin që kanë nevojë për më shumë fonde dhe pajisje mbrojtëse, siç janë maskat, për t’u kujdesur për pacientët me koronavirus, si dhe për familjet që presin të marrin pagesat, si pjesë e një përpjekje për të “injektuar triliona” dollarë në ekonominë amerikane.

Presidenti Donald Trump tha se dëshiron që ekonomia amerikane të rifillojë punën sa më shpejt që të jetë e mundur pasi urdhrat e izolimit në shumë shtete i kanë mbajtur punëtorët në shtëpi.

Shumica e familjeve katër anëtarëshe amerikane do të merrnin 3 mijë dollarë, me paketën e ndihmës që do të krijojë program të huave prej 500 miliardë dollarësh për bizneset, qytetet dhe shtetet dhe 350 miliardë dollarë më shumë për të ndihmuar bizneset e vogla të paguajnë rrogat në një kohë kur ka një kërkesë në rënie për prodhimet dhe shërbimet e tyre. Paketa e ndihmës synon nxitjen e ekonomisë amerikane duke siguruar pagesa të drejtpërdrejta për më shumë se 90 për qind të amerikanëve dhe një grup të gjerë biznesesh, që do t’i ndihmonte ato të përballonin efektet e tanishme dhe në rritje të pandemisë./VOA/                              

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia