close
Rajoni

AGRON TUFA: “KAM KËRKUAR AZIL POLITIK NË NJË VEND TË EVROPËS”

Screenshot_6

Kreu i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, Agron Tufa ka konfirmuar se për arsye të sigurisë së tij dhe të familjes ka kërkuar azil politik në një vend të Evropës.

Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, Agron Tufa i tha “Zërit të Amerikës” se kërkoi azil politik në një vend të Europës për shkak të kërcënimeve të shumta ndaj tij për shkak të detyrës.

Përmes telefonit zoti Tufa tha se përmes një letre të gjatë drejtuar Kryetarit të Bordit të Institutit Uran Butka dhe për dijeni Presidentit, Kryetarit të Parlamentit dhe Prokurores së Përgjithshme kishte paraqitur dorëheqjen nga posti drejtues që mbante prej vitit 2010, kur ishte krijuar Instituti.

Zoti Tufa shprehet në letër se ndjehej i pasigurt për jetën e tij dhe të familjes pasi sipas tij “sidomos këtë vit ishte vënë përballë falangave më të egra të enverizmit, të veshur me pushtet të lartë politik, ekonomik e administrativ”.

Zoti Tufa përmend në letër disa kërcënime ndaj tij të cilat ishin të vazhdueshme. “Pa asnjë garanci mbrojtjeje, me një drejtësi që nuk reagon, mua i nderuar kryetar nuk më mbeti rrugë tjetër”, iu drejtua Tufa përmes letrës Kryetarit të Bordit të Insitutit.

Agron Tufa ka qenë mjaft aktiv kohët e fundit në denoncime ndaj krimeve të regjimit komunist në Shqipëri me publikime dëshmish dhe të dhënash. Ai u përfshi në një debat të ashpër publik edhe me ish- Kryetarin e Komisionit të Sigurisë, deputetin e Partisë Socialiste, Spartak Braho. Agron Tufa njihet nga publiku i gjerë në Shqipëri si shkrimtar, publicist dhe akademik. /Zëri i Amerikës/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia