close
Top LajmeVendi

AKSIONI NË KRUSHOPEK: KAPET NJË KG KOKAINË, KATËR TË ARRESTUAR

Çulev: Hetimet vazhdojnë


Detaje për aksionin e mbrëmshëm në Krushopek, ministri i Punëve të B rendshme nuk mundi të jep, mirëpo e pastroi një gjë, se janë kapur një kilogram kokainë, e jo një ton siç spekulohej mbrëmë nga mediat vendase. Por Naqe Çulev, tha se sasia që ishte e destinuar për Maqedoninë e Veriut ka qenë më e madhe, por për shkak se hetimi është në vijim, nuk tregoi se ku ka përfunduar.

“Në fshatin Krushopek të Shkupit, janë kapur vetëm një pjesë nga sasia e përgjithshme, gjegjësisht një kilogram kokainë, i cili sipas informatave të para është vetëm një pjesë prej një sasie të madhe që është dashur të përfundojë në shtetin tonë.” –tha Naqe Çulev, ministër i Brendshëm.

Janë arrestuar katër persona… Pronari i kompanisë “Baneks” dhe djali i tij, një punëtor, dhe vozitësi. Kokaina është me origjinë nga Kolumbia, e kjo nuk është hera e parë që kompania ka sjellë mallra nga ky shtet.

“Kontrolli fillestar tregon se personi juridik “Baneks” i cili është edhe importues, ka importuar 120 herë pemë, e cila në shumicën e rasteve ka ardhur nga Kolumbia dhe një pjesë më e vogël nga Ekuadori.” -vlerëson Naqe Çulev, ministër i Brendshëm.

Do të hetohen edhe subjekte tjera juridike që kanë bashkëpunuar me kompaninë nga Krushopeki, e do të iniciohet edhe procedurë hetimore financiare. Çulev paralajmëroi se në ditët në vijim do të dilet edhe me detaje shtesë për aksionin. Gjatë bastisjes, është konfiskuar një paketë prej një kilogrami me kokainë, telefona celular, rreth tre mijë euro, 700 dollarë dhe 188 mijë denarë. /Furkan Saliu/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia