close
Vendi

ALTERNATIVA: KEMI PLAN PËR TË SHPËTUAR VITIN SHKOLLOR

08DCA79B-8A3E-4644-905C-B0CD32D24F57

Në kohën e problemit të madh që shfaqet me organizimin e procesit mësimor, Akademia Politike ALTERNATIVA ka realizuar një anketë me pyetje që trajtojnë fushën e arsimit në situatën e krijuar nga pandemia e COVID-19. Anketa është realizuar brenda 1 jave, konkretisht prej datës 10 deri 15 tetor 2020, dhe në të kanë marrë pjesë mbi 5.000 nxënës e studentë.

Sic thuhet në komunikatë, Ideja e këtij hulumtimi ka qenë që të merren mendimet dhe opinionet e nxënësve dhe studentëve në lidhje me zhvillimin e mësimit në kushtet e pandemisë.

Duke iu referuar kësaj ankete, arrijmë të konkludojmë se nxënësit, studentët, si edhe i tërë sistemi arsimor ka probleme dhe vështirësi të dukshme për ta përmbushur qëllimin edukativo-arsimor.

Mbështetur në situatën në të cilën gjendemi, si edhe në rrethanat kur pandemia e Covid-19 është në fluksin e saj të madh, ne si ALTERNATIVA propozojmë që:

  1. Ndonëse 95 % e nxënësve dhe studentëve janë shprehur se janë për mësim me prezencë fizike, duke qenë vetëdijshëm se nuk ka mundësi që mësimi nuk mund të realizohet plotësisht me prezencë fizike, kjo si pasojë e pandemisë, propozimi ynë është që mësimi të realizohet online, por Qeveria, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, komunat dhe drejtuesit e tjerë të institucioneve t’u sigurojnë nxënësve kushte optimale për mësim online, t’i pajisin me llaptopë, PC ose tabletë, si edhe të gjenden mënyra që të sigurohet qasje në internet për ata që nuk kanë mundësi të tillë. 
  2. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si organet e saj, Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe drejtoritë e testimeve dhe të tjera, të sigurojnë tekste shkollore dhe materiale të tjera të nevojshme për mësim në formë digjitale.
  3. Për ato shkolla që i plotësojnë kushtet për mbajtje të mësimit me prezencë fizike, ku numri i nxënësve është i pranueshëm dhe ku përmbushen të gjitha masat e nevojshme, sipas rekomandimeve shëndetësore dhe higjienike, duke i respektuar protokollet, propozojmë që mësimi të mbahet me prezencë fizike;
  4. Të mos anashkalohet edhe mundësia për mësim të kombinuar: aty ku ka kushte për mbajte të mësimit me prezencë fizike (sidomos në zona rurale), atyre t’u mundësohet të mbajnë mësim me prezencë fizike, kuptohet duke respektuar rekomandimet, ndërsa aty ku nuk plotësohen kushtet, mësimi të realizohet online – me mbështetjen e nevojshme nga Qeveria.
  5. Në momentin që stabilizohet situata me pandeminë, propozojmë ndërhyrje të shpejtë, në mënyrë që menjëherë të fillojë mësimi me prezencë fizike (96.3 % e të anketuarve vlerësojnë se mësimi me prezencë fizike është më produktiv).
  6. Meqë gjendemi në prag të festave të fundvitit, kur kryesisht bëhen harxhime dhe shpenzime të shumta, konsiderojmë se ato janë të parëndësishme në këtë kushte, andaj propozojmë që të mos shpenzohen para për festat e fundvitit, por ato mjete të orientohen për t’i mbështetur familjet dhe institucionet në nevojë për ta realizuar procesin arsimor me pajisjet e nevojshme.
  7. Të gjitha mjetet buxhetore, që për momentin nuk shfrytëzohen nga institucionet shkaku i pandemisë, të destinohen për realizimin e procesit arsimor.

 

Akademia Politike ALTERNATIVA përsërit edhe një herë se nuk ka asnjë investim më produktiv dhe më të rëndësishëm në shoqëri sesa arsimi, andaj thirrja jonë është që ta shpëtojmë vitin shkollor. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia