Ambasada e SHBA-së: Rastin “Ruskovska – Muaremi” ta zgjidhin organet kompetente

DELEGACIONI I BE-së: SUNDIMI I SË DREJTËS ËSHTË PRIORITET I RËNDËSISHËM

Delegacioni i BE-së në Shkup në përgjigjen e dhënë për Klan Maqedoni në lidhje me zhvillimet mes kreut të Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Vilma Ruskovska dhe drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi, thanë se, ndjekin nga afër të gjitha zhvillimet, përfshirë edhe këto të fundit. Theksuan se, sundimi i së drejtës është ndër prioritetet më të larta, por se çështja konkrete, duhet të trajtohet nga organet kompetente.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

“Bashkimi Evropian po i ndjek nga afër të gjitha zhvillimet e ndërlidhura, përfshirë edhe shkëmbimet e fundit publike. Zbatimi i sundimit të së drejtës është një ndër prioritetet më të larta të Bashkimit Evropian. Është një pjesë esenciale e klasterit të ardhshëm të negociatave për vlera themelore, i cili është klasteri i parë që do të hapet në negociatat qasëse me BE-në. Ligjet në fuqi përshkruajnë kompetencat përkatëse të autoriteteve nacionale dhe mënyrat e bashkëpunimit të tyre të përbashkët, të cilat duhet të respektohen. Kjo çështje duhet të trajtohet nga autoritetet kompetente”, deklaruan nga Delegacioni I BE-së në Shkup.

Edhe nga Ambasada e SHBA-së në Shkup u përgjigjën për Klan M se i mbështesin përpjekjet e gjyqësorit për sigurimin e transparencës së institucionet, por rastin konkret duhet ta zgjidhin institucionet.

“Ambasada e SHBA-së është e angazhuar në avancimin e sundimit të së drejtës në Maqedoninë e Veriut dhe i mbështet përpjekjet e autoriteteve dhe të gjyqësorit për sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies te institucionet dhe brenda në to. Duket se kjo çështje është proces në vazhdim dhe është çështje që duhet ta zgjidhin organet kompetente”,deklaruan nga Ambasada e SHBA-së.

Të pyetur nëse prokurorja evropiane, Laura Kovesi ka kompetenca për të shqyrtuar lëndë në një vend kandidat si Maqedonia e Veriut, nga zyra e Bashkimit Evropian thanë se, Prokuroria Publike Evropiane është një prokurori e pavarur dhe e decentralizuar e Bashkimit Evropian, me kompetenca të hetojë, persekutojë dhe të  sjell para drejtësisë krimet që kanë të bëjnë me buxhetin e BE-së, siç janë mashtrimet, korrupsioni apo mashtrime serioze ndërkufitare me TVSH-në. Kujtojmë se, pas paralajmërimit të drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi se,do të paraqesë kallëzime penale për prokurorët që kanë bastisur këtë institucion, prokurorja Ruskovska, përmes një letre, ka kërkuar ndihmën e ambasadave të SHBA-së dhe BE-së, nga presionet e Muaremit. Ajo po ashtu ka kërkuar nga prokurorja evropiane të vijë dhe të kontrollojë të gjitha lëndët e prokurorisë që e udhëheqë Ruskovska./KlanMacedonia/

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share