close
Top LajmeVendi

AMBASADORËT ME MESAZHE POZITIVE PËR INTEGRIMET EUROATLANTIKE

FJALIMI I PRESIDENTIT I MBYLLUR PËR MEDIAT


Tryezë e rrumbullakët ose debat i organizuar për temën mjaft aktuale  – perspektivat e vendit drejt rrugës për në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në të cilin mbajti fjalim edhe presidenti i shtetit Stevo Pendarovski. Pas kufizimit kohor prej 30 sekonda deri në një minutë e lejuar për xhirime të fjalimit të presidentit, kamerat u nxorën jashtë dhe debati në prani të presidentit u zhvillua pas dyerve të mbyllura. Pas pushimit organizatorët e hapën debatin, ndërsa ambasadorët debatuan publikisht për perspektivat e vendit në BE.

“Pas 30 sekondave, më së shumti 1 minutë pas fjalimit të presidentit Pendarovski “ju lusim ta lëshoni sallën”, me fjalë të këtilla u shprehën nga Kabineti i presidentit, duke u lutur gazetarëve ta lëshojnë debatin e organizuar në temë “Rruga drejt BE-së dhe NATO-s: Perspektivat dhe sfidat”, i organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve. Të pyetur pse, nga kabineti e hodhën topin te organizatori i cili e pohonte të kundërtën. Në këtë kontekst kamerat xhiruan shumë pak, pas çka ishin të detyruar të dalin. Aq sa na u lejua Pendarovski i përshëndeti të pranishmit.

“Falemnderit, unë do të flas në gjuhën maqedonase , ju falenderoj për ftesën. Më vjen mirë që jemi mbledhur në numër kaq të madh, nuk më vjen mirë që salla është e vogël, dhe disa miq të mi të vjetër duhet të rrinë në radhën e dytë, herën e ardhshme do të angazhojmë ndonjë hapësirë tjetër, ndoshta në stadiumin e qytetit, pse jo!” –deklaroi Stevo Pendarovski, President i RMV-së.

Pasi presidenti e lëshoi sallën debati mori karakter të hapur. Ambasadori gjerman në vend Tomas Gerberih theksoi se Bashkimi Evropian duhet ta vërtetojë perspektivën evropiane edhe për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Shqipërinë.

“Kjo është rruga më e mirë, të promovojmë reforma dhe zhvillim të shtetit juridik. Gjermania angazhohet që procesi të jetë më transparent, por jemi të bindur se Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet t’i ofrojmë perspektivë të qartë evropiane. Pas takimit me Edi Ramën kryeministrja jonë citoi se ne jemi të qartë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe tërë Ballkanit perëndimor dhe duam që këto dy shtete të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.” –shprehet Tomas Gerberih, Ambasador i Gjermanisë në RMV.

Është çështje e kohës kur Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s. Amerika mbetet partner i fuqishëm strategjik i Maqedonisë së Veriut, theksoi ambasadorja e SHBA-ve, Kejt Meri Bërns.

“Duam ta shohim Maqedoninë e Veriut si mbështetës i fuqishëm në NATO, pjesëmarrëse në misionet e NATO-s. E kemi parë se vendi juaj mori pjesë në stërvitjet ushtarake dhe patëm mundësi ta shohim se vendi juaj ka aftësi të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s. E dimë se procesi i ratifikimit do të ecë përpara dhe është çështje e kohës kur vendi juaj do të bëhet zyrtarisht anëtare e NATO-s.” –vlerëson Kejt Meri Bërns, Ambasadore e SHBA-ve në RMV.

Ratifikimi i protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO me procedurë të përshpejtuar në parlamentin spanjol vështirë se mund të ndodhë deri më 12 shkurt, por kjo nuk është e pamundur, theksoi ambasadori i Spanjës në vend, Emilio Lorenco. Nga ana tjetër mbetet paralajmërimi i kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet ta ratifikojë protokollin për anëtarësim në NATO në seancë plenare më 11 shkurt, një ditë para shpërndarjes së përbërjes së tanishme parlamentare. /Verica Dimitrijevska/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia