close
Rajoni

Anëtarësimi në Këshill të Evropës, dritare për më shumë drejtësi

04870000-0aff-0242-4cc3-08da34138b4b_w1023_r1_s

Anëtarësimi i pritshëm i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të jetë një instrument i rëndësishëm për qytetarët, në rastet kur janë viktima të shkeljes së të drejtave të tyre.

Të qenët pjesë e këtij mekanizmi mund të jetë një ndihmesë e madhe për Bekim Gashin nga Tërnja – Komuna e Suharekës – i cili, tash e 23 vjet,nuk ka gjetur drejtësi për nënën dhe katër motrat e vrara nga forcat serbe, gjatë luftës në Kosovë, më 1999.

Gashi ka qenë dëshmitar në një gjykatë të Beogradit, në procesin gjyqësor kundër dy ushtarakëve serbë, Pavlle Gavrilloviq dhe Rajko Kozllina, të akuzuar për masakrën në Tërnje. I pari është liruar nga akuzat, ndërsa i dyti ndodhet në arrati qëkur është dënuar me 15 vjet burgim, në vitin 2019.

Gashi thotë se aplikimi i Kosovës për të qenë pjesë e Këshillit të Evropës e ka motivuar atë edhe më shumë për të kërkuar drejtësi, përmes ushtrimit të padisë kundër Serbisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Do të doja shumë që të vazhdoja më tutje”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë, por shton se i duhet mbështetje financiare dhe juridike për ta bërë një të tillë.

“Në qoftë se do të kem përkrahje nga institucionet e Kosovës, unë kurrë s’kam për të heshtur derisa të vij te drejtësia. Dihet se si ka shkuar procesi në Beograd. Ka qenë gjykim formal, vetëm sa për të thënë se kinse po gjykohet. Në fund: zero. I dënuari është arratisur”, tregon Gashi.

Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës u mundëson qytetarëve të Kosovës që të ushtrojnë padi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kohën kur ata konsiderojnë se shteti i caktuar ua ka shkelur të drejtat. Kjo gjykatë trajton çdo rast kur ankuesi është personalisht dhe drejtpërdrejt viktimë e shkeljes së të drejtave dhe garancive të përcaktuara në protokollet e saj./REL

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia