close
Vendi

ARS ALBANICA: PROJEKTET KULTURORE 2021 – DISKRIMINUESE PËR SHQIPTARËT

A4940EDB-2DD0-438B-8341-1958DC2E9A1E

Shoqata për Kulturë dhe Shkencë “Ars Albanica” – Tetovë, reagon ndaj vendimit të Ministrisë së Kulturës në RMV, pas shpalljes së rezultateve për projektet kulturore 2021, si tërërisht diskriminuese për Shoqatën “Ars Albanica”, dhe mbarë kulturën shqiptare në vend.

Të gjitha projektet e Shoqatës “Ars Albanica” janë refuzuar, edhe pse janë projekte të rëndësishme, manifestime kulturore – letrare dhe botime, deri tani të realizuara me përkushtim, gjithmonë me idenë e prezantimit dhe afirmimit të vlerave kombëtare shqiptare.

Festivali Poetik Mbarëkombëtar “Flakadani i Kujtesës”, tani më është shndërruar në një flakadan dijesh, ndërkaq “Ars Albanica” një vatër poetësh shqiptarë me vlera të veçanta nga të gjitha hapësirat shqiptare dhe Mërgata. A thua për këtë arsye u refuzua ky projekt!?

Revista “Ars Albanica”, një revistë letraro – shkencore, në 200 faqet e së cilës e gjenin dritën e botimit me dhjetëra vlera poetike, letrare, studimore e gjithçka që e përfaqësonte më së miri letërsinë tonë u anashkalua, duke u zëvendësuar me revista (fletushka), në të cilat, jo më cilësia letrare, por as drejtshkrimi nuk respektohet.

Edhe projektet tjera të shoqatës, me shumë rëndësi kombëtare – kulturore, nuk u përkrahën nga kjo Ministri e Kul(l) – Turës.

Shtrojmë pyetjen publikisht, kujt i pengoi emri dhe aktiviteti i Shoqatës “Ars Albanica”?

Kushdo që është penguesi, le ta dijë që përpiqet të mohojë veçse vlera të mirëfillta!   

Shoqata “Ars Albanica” do të vazhdojë aktivitetin e saj për prezantimin dhe afirmimin e vlerave kombëtare shqiptare.

Buxheti prej 9.000.000 EU i mjaftoi dhe i stërmjaftoi ministrisë për projektet maqedonase, por do t’i pyesnim përfaqësuesit shqiptarë, nëse ndihen krenarë për punën e bërë, me 18 % e “hises” shqiptare, të fituar nga ky buxhet.

Deri kur përfaqësuesit shqiptarë nëpër institucionet shtetërore do të jenë “argatë” dhe do të nënshkruajnë verbtazi projekte të tilla diskriminuese për shqiptarët.

Thuhet në Reagimin e Shoqatës për Kulturë dhe Shkencë “Ars Albanica” – Tetovë, të nënshkruar nga Kryetari Prof. Dr. Zeqirja REXHEPI. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia