close
Top LajmeVendi

ARSIMI DHE FËMIJËT ME AFTËSI TË KUFIZUARA

Përfshirja në arsim nuk e tejkalon përfshirjen sociale, prindërit kanë frikë nga diskriminimi i mundshëm


Problemet me të cilat përballen çdo ditë fëmijët me aftësi të kufizuara nuk i tejkalojnë ato të cilat lidhen me arsimimin e tyre. Paralele të posaçme ose kyçje në paralelet e rregullta është dilema për të cilën u përkujtuan edhe institucione në shënimin e Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara. Nga ana tjetër, prindërit kanë frikë nga papërgatitja e institucioneve arsimore dhe diskriminimi i mundshëm i fëmijëve të tyre.

Fëmijët me aftësi të kufizuara jo gjithmonë pranohen me duar të hapura, në qoftë se prindërit e tyre dëshirojnë t’i regjistrojnë në mësim të rregullt. Në varësi të aftësisë së kufizuar, ata kanë nevoja të veçanta, thonë prindërit, ndërsa në mësimin e rregullt të paktën për momentin kjo nuk u mundësohet. Kemi frikë nga diskriminimi i mundshëm dhe nuk jemi të gatshëm për këtë, thotë për TV Klan një nënë, fëmija i së cilës është me shikim të dëmtuar dhe pengesa në zhvillimin mental dhe lufton edhe me sfidat në arsimin e lartë.

“Vajza ka përfunduar shkollën e mesme, tani është regjistruar në shkollën e mjekësisë – fizioterapeut, udhëtojmë çdo ditë nga Gostivari në Shkup, luftojmë dhe kemi sukses. Me këtë përfshirjen e re që fëmijët të ndjekin mësimin e rregullt, nuk e di sa është e mirë, sepse kjo këtu është më e mira për ata, këtu janë të gjithë njësoj, shihen njësoj, askush nuk ndahet veçmas nga tjetri. Në shkolla ka raport diskriminues ndaj tyre, mendoj se kjo do të jetë problematike.”-shprehet njëri nga prindërit.

Ndihma dhe mirëkuptimi janë një nga problemet më të mëdha kur fëmijët me aftësi të kufizuara janë pjesë e mësimit të rregullt.

“Jam shumë mirë, kam shoqëri, por dua të them ne që shkruajmë me alfabetin BRA, shokët e rinj nuk dinë, ndërsa shokët e vjetër që kemi mësuar bashkë në shkollë fillore na ndihmojnë shumë.” –deklaron njëri nga fëmijët nwe aftësi të kufizuar.

Kyçja e këtyre fëmijëve në procesin arsimor nënkupton edhe zgjerimin e rrjetit të shkollave, kuadër arsimor i trajnuar por edhe logoped, defektolog, terapeut zhvillimi, ndërsa kjo ende nuk ekziston.

“Punohet në atë drejtim që çdo shkollë të ofrojë mundësi dhe kushte në qoftë se regjistrohet ndonjë fëmijë me shikim të dëmtuar të mund të arsimohet edhe në disa nga shkollat tjera, kemi shembuj pozitivë të nxënësve të cilët mësojnë në shkollat e rregullta dhe janë gjendur shkëlqyeshëm.” -deklaron Goranço Jakimov, Drejtor i Shkollës Shtetërore për fëmijë dhe të rinj me shikim të dëmtuar “Dimitar Vllahov”.

Hulumtimet tregojnë se fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët me zhvillim tipik arrijnë rezultate më të mira kur mësojnë së bashku në shkolla, thonë nga UNICEF. Prej atje përkujtojnë se përfshirja është obligim i vendeve nënshkruese të Konventës së të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Sistemet për arsim përfshirës në Evropë zhvillohen qe disa dekada, megjithatë nuk ekziston sistem i vetëm i arsimit të personave me pengesa në zhvillim. Në disa shtete siç janë Suedia, Spanja, Greqia, të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara regjistrohen në shkolla të rregullta. Në shtete tjera si Sllovenia, Franca, Çekia, Sllovakia ekzistojnë të dyja sistemet. Në Maqedoninë e Veriut ende vazhdon debati nëse përfshirja e plotë e fëmijëve me aftësi të kufizuara është e mundur në arsimin e rregullt. /Verica Dimitrijevska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia