Deklarata e kryeministrit të Maqedonisë Veriut Zoran Zaev, se moshapja e negociatave rrezikon zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, ka ngjallur shqetësim në Athinë.
Edhe pse Zaev një ditë më vonë u tërhoq nga ajo deklaratë, Athina zyrtare paralajmëron se zbatimi i marrëveshjes është kusht i panegociueshëm.
“Për ne, çështja me Maqedoninë e Veriut është zbatimi i plotë dhe korrekt i Marrëveshjes së Prespës. Demokracia e re, nga koha kur ishte në opozitë ishte pozicionuar për problemet që gjykonte se kishte teksti i marrëveshjes. Mirëpo e kemi thënë qartë se pas hyrjes në fuqi, vendi ynë është absolutisht i detyruar ta respektojë. Dhe këtë po bëjmë si qeveri”, deklaroi ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, para komisionit të politikës së jashtme të parlamentit.
Edhe pse nuk është ithtare e Marrëveshjes së Prespës, qeveria aktuale greke nuk dëshiron në asnjë mënyrë që ujdia e arritur nga Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev të vihet në diskutim.
Përkundrazi, siç deklaron ministri i Jashtëm grek, dëshiron që përmes rrugës europiane, siç thotë, të zbusë efektet e marrëveshjes që janë negative në konceptin e Athinës zyrtare. /Robert Goro, Athinë/