close
Rajoni

ATHINA: TË MOS VONOHEN NEGOCIATAT ME RMV-NË DHE SHQIPËRINË

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka folur për herë të parë për shtypin grek, pas kthimit nga vizita në Shkup.

“Vizita ime në Shkup kishte si prioritet kryesor forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në një gamë të gjerë sektorësh dhe promovimin e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Prespës”, tha Dendias në një intervistë për gazetën To Vima.

“Në të njëjtën kohë, kishte për qëllim të konfirmojë mbështetjen me iniciativa konkrete nga Greqia, të perspektivës europiane të Maqedonisë së veriut”, ka shtuar ministri i jashtëm grek.

Greqia dëshiron që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos ndahen në procesin për integrim në Bashkimin Europian.

Sipas Athinës, kjo është e domosdoshme për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

Në pritje të samitit të BE, ku është planifikuar të diskutohet edhe propozimi francez për një rishikim të procesit të zgjerimit, Dendias ka bërë publik qëndrimin e Athinës.

“Mbështesim propozimin francez për një përmirësim të metodologjisë së zgjerimit. Por ky diskutim nuk duhet të krijojë vonesa në marrjen e vendimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, ka pohuar Dendias.

I pyetur se cili do të jetë qëndrimi i Athinës në rast se në zgjedhjet e 12 prillit fiton VMRO-DPMNE, ministri i Jashtëm grek ka deklaruar se Athina nuk përzihet në punët e brendshme të shteteve të tjera. /Robert Goro, Athinë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia