close
Bota

AUSTRALIA BARAZON SHIFRËN REKORDE TË MOTIT TË NXEHTË

cdfff661-5596-42f6-ae29-3e10ec70f515_w1023_r1_s

Autoritetet australiane kanë raportuar se temperatura në brigjet e Australisë ka arritur në 50.7 gradë Celsius, duke barazuar rekordin e vitit 1962.

Kjo temperaturë e lartë është raportuar në Onslou të Australisë Perëndimore, derisa ajo e viteve më parë ishte regjistruar në jug të Australisë.

Onslou dhe rajonet përreth, mund të regjistrojnë temperatura rekorde sërish, pasi moti pritet të jetë edhe më i nxehtë të premten.

Këto temperatura janë regjistruar pasi Australia Perëndimore është përballur me zjarre të mëdha muajin e kaluar.

Si pasojë e tyre, janë djegur mbi 6,000 hektarë tokë dhe shumë persona janë evakuuar.

Përveç Onslout, edhe qytezat tjera si, Mardi dhe Robërn, kanë regjistruar temperatura mbi 50 gradë Celsius të enjten.

Valët e nxehtësisë janë duke u bërë secilën herë e më ekstreme, për shkak të ndryshimeve klimatike, të nxitura nga njeriu.

Bota veçse është ngrohur për 1.2 gradë Celsius prej nisjes së epokës industriale dhe temperaturat pritet të rriten, përveç nëse qeveritë nëpër botë marrin masa për të kufizuar emetimet e karbonit./REL/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia