close
Bota

Bandat shqiptare, “benzina” që ndez dhunën në Ekuador

guajakil.png

Bandat në Ekuador kanë hapur një tjetër faqe sa i përket krimit të organizuar në Amerikën, duke rritur stekën dhe duke vrarë policë në qendra të shpërndarjes së drogës.

Në një javë, 3 oficerë janë vrarë dhe 2 të tjerë janë plagosur si pasojë e atentateve. Trupi i një oficeri policie u gjet në Guayaquil më 5 Maj, ku së fundmi janë raportuar se qëndrojnë edhe trafikues droge shqiptarë.

Autorët e kishin torturuar fillimisht policin. Në Prill, një tjetër polic u vra në një autostradë në jashtë Guayaquil-it. Polici u ndoq nga dy vrasës me pagesë me një motor dhe e qëlluan në mes të ditës.

InSight Crime shkruan se këto atentate po kthehen në një trend shqetësues në Ekuador. El Comercio ka shkruar se numri i oficerëve të vrarë është rritur gjatë viteve të fundit.

Në vitin 2020 ka pasur vetëm 5 punonjës policie të vrarë, në 2021 shkoi në 13, ndërsa në vitin 2022 pritet që të rritet akoma më shumë.

Sipas një analize të InSight Crime, rritja e dhunës në Ekuador nxjerr në pah kapacitetet e forcave të ligjit atje dhe korrupsionin në radhët e tyre.

“Shumica e vrasjeve të policisë kanë të bëjnë me krimin e organizuar. Ata po lajnë hesapet,” tha për InSight Crime Arturo Torres, një gazetar vendas me përvojë të gjerë në mbulimin e krimit të organizuar.

Torres shtoi se disa nga policët e vrarë mund të kenë pasur lidhje të drejtpërdrejta me bandat. “Pasi rekrutohen oficerët e policisë, ata nuk mund të largohen nga këto grupe ose të ndalojnë së vepruari në emër të tyre,” tha ai.

Torres shpjegoi për InSight Crime se rritja e grupeve meksikane dhe shqiptare që merren me trafikimin e drogës ka nxitur dhunë më të madhe dhe kështu ka bërë që oficerët e policisë të kapen gjithashtu në shkëmbime zjarri të ndryshme.

“Ka më shumë burime për të blerë oficerët e policisë, apo për t’i frikësuar ata me kërcënime, jo vetëm personalisht, por edhe përmes familjeve të tyre”, përfundoi ai./tvklan.al

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia