close
Sport

BBC: NGRITJA E FUTBOLLIT TË KOSOVËS, SHENJAT QË LA VOKRRI

108660287_uefapresidentaleksanderceferin-llistenstothepresidentofthefootballfederationofkosovofadilvokrrisexplanationsastheyvisitpristinacitystadiumwhichisunderrenovationonaugust17

Suksesi i jashtëzakonshëm i Kosovës në futboll ka bërë që mediat më të mëdha ndërkombëtare të përqendrojnë vëmendjen te Kosova. BBC ka bërë një shkrim të veçantë duke përmendur ndeshjen e parë zyrtare të Kosovës (shtator 2016) e deri te triumfi i të shtunës ndaj Republikës Çeke (2-1) që e zgjati në 15 numrin e ndeshjeve pa humbje të skuadrës sonë.

Ky vend me rreth 1.8 milionë banorë bëri fushatë për tetë vite para se të pranohej si anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s në vitin 2016-shkruan BBC në artikullin kushtuar përfaqësueses së Kosovës në futboll. Procesi filloi mënjëherë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

Disa vende, duke përfshirë edhe Serbinë, ende nuk e njohin të drejtën e saj për të ekzistuar. Se një komb i tillë i ri dhe i trazuar, nga zemra e Ballkanit, duhet të shkëlqejë në fazat më të mëdha të futbollit nuk ishte ëndrra vetëm e një njeriu, shkruan BBC duke shtuar se ka një figurë që nderohet mbi gjithë të tjerët – dhe historia e tij shpjegon origjinën e këtij ekipi special. Siç thotë BBC-ja, ai ishte thelbësor në fushatën e Kosovës për njohjen si komb futbolli, dhe është hero në vendin e tij. Pas vdekjes së tij vitin e kaluar në moshën 57 vjeçe, shtëpia e ekipit kombëtar të Kosovës, në nder të tij u riemërua: Stadiumi Fadil Vokrri.

Artikulli i BBC vazhdon me tregimin për vështirësitë dhe të gjitha sakrificat nga Pavarësia e Kosovës deri te pranimi në UEFA, ndërsa fokusi kryesor është te biografia, reputacioni, karriera dhe përpjekjet e Vokrrit për avancimin e futbollit në vendin tonë. Nuk mungon edhe historia e shpërbërjes së Jugosllavisë gjatë viteve të nëntëdhjeta dhe luftërat e përgjakshme, duke përfshirë edhe Kosovën që ishte e fundit që shpalli pavarësinë. ‘Dardanët’ e flaktë, dashuria për sportin dhe ëndrra e Kosovës për të pasur sukses në arenën ndërkombëtare tashmë duket e arritshme-konkludon gazetari I BBC-së Patrik Xhenings në artikullin kushtuar Futbollit në Kosovë dhe sukseset në arenën ndërkombëtare. /Agjencitë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia