close
Bota

BE:POLITIKA TË NDRYSHME PËR KRIZËN ENERGJETIKE

hqdefault-197

FRANCA U KTHEHET CENTRALEVE NUKLEARE, GJERMANIA I ÇKYÇ

Franca paralajmëron ndërtimin e reaktorëve të rinj nuklearë, krahas 56 reaktorëve me të cilët disponon, si hap për uljen e varësisë nga burimet e huaja të energjisë, derisa vendet fqinje, posaçërisht Gjermania, u përmbahen angazhimeve për çkyçjen e tyre. Ekspertët vlerësojnë se “derisa BE-ja është me politikë energjetike jokoherente, Moska do ta mbajë në grep”.

Ekologët në botë menjëherë kanë reaguar – paralajmërimin e Emanuel Makron për ndërtimin e reaktorëve të rinj nuklearë e quajtën “çkyçje nga realiteti”, duke e rikujtuar presidentin francez se personalisht është angazhuar për uljen e energjisë atomike nga 75% në 50% deri në vitin 2035. Tani, pesë muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe në përpjekje, siç thotë, “për të mbajtur çmime racionale”, Makron e ka ndryshuar retorikën.

EMANUEL MAKRON, PRESIDENT I FRANCËS  

“Për herë të parë pas disa dekadave sërish do të fillojmë me ndërtimin e reaktorëve nuklearë në Francë, paralelisht me zhvillimin e energjisë së rinovueshme.”

Nga ana tjetër, Gjermania fqinje përballet me kontradiktë. Para 10 viteve, pas fatkeqësisë në centralin nuklear japonez Fukushima, u angazhua për heqje dorë nga energjia atomike deri në vitin 2022, ndërsa tani kthehet në gazin fosil si kompensim për suksesin e pamjaftueshëm të programit për energji nga burimet e rinovueshme. Nga njëra anë premtoi mbyllje të termocentraleve të thëngjillit deri në vitin 2038, ndërsa nga ana tjetër ka nevojë për më shumë energji për shkak të tranzicionit drejt mjeteve elektrike të transportit. Në mungesë të politikës energjetike koherente në Evropë, njohësit pyesin si mundet që BE-ja edhe më tej të mbështetet në gazin rus dhe të mos jetë pre e “armës” së Moskës?

EURAKTIV

“Evropa vazhdon të importojë sasi të rëndësishme  strategjike të gazit nga Rusia – gjatë  viteve të fundit 40% të nevojave. Ndërtimi i gazsjellësit Verior 2 vetëm e ka përforcuar varësinë nga Rusia. Kjo do të thotë se Evropa vetë është futur në krizë energjetike. Derisa nuk largohet nga energjia ruse, kontinenti do të jetë në pozitë të vështirë ekonomike dhe energjetike.”

Në fillim të muajit Rusia e ka ulur furnizimin me gaz për Evropën, por nga dita e djeshme e ka ulur çmimin e gazit  me shumicë, me çka i ka rritur shpresat se Moska do ta mbajë premtimin për furnizim të rregullt dhe më këtë do të ulet frika nga restriksionet e mundshme dhe nga rritja e çmimit në fillim të dimrit./KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia