close
Vendi

BERLINI THOTË SE ËSHTË NË DIJENI PËR ‘BALLKANIN E HAPUR’

0DB56EB8-83C4-4DD9-9F14-ABE3C3E7A56E

‘ËSHTË PJESË E PROCESIT TË BERLINIT’


Qeveria gjermane e konsideron si „detyrë urgjente“ nënshkrimin e marrëveshjeve të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe kërkon që marrëveshjet të nënshkruhen deri më 6 tetor.

Qeveria gjermane e konsideron si “detyrë urgjente” jetësimin e marrëveshjeve të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, miratuar në samitin e Sofjes në 2020. Në një përgjigje me shkrim për Deutsche Wellen, një zëdhënës i qeverisë gjermane kujton se “krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitin e fundit të “Procesit të Berlinit”, më 5 korrik me ftesë të kancelares federale, konfirmuan përpjekjet e tyre për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm.”

Ai shton se marrëveshjet e katër lirive duhet të nënshkruhen deri më gjashtë tetor të këtij viti, kur të zhvillohet samiti i ardhshëm i BE-së me Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që “të arrihen përmirësime të prekshme për qytetarët e të gjashta vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Marrëveshjet e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, janë miratuar në parim nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synojnë të rregullojnë lirinë e lëvizjes me karta identiteti, hyrjen, lëvizjen dhe qëndrimin për shtetasit e vendeve të treta, njohjen e licencave për mjekët, dentistët dhe arkitektët si edhe njohjen e diplomave universitare.

Pyetjeve të Deutsche Welles se në çfarë mënyre e mbështet qeveria gjermane nismën „Ballkani i Hapur”, zëdhënësi iu përgjigj përmbledhtazi: “Qeveria gjermane është në dijeni të nismës së Ballkanit të Hapur. Nga këndvështrimi i qeverisë federale gjermane çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është për t’u përshëndetur.”

Në përgjigjen me shkrim qeveria gjermane i lë pa përgjigje të drejtpërdrejta pyetjet e Deutsche Welle-s se si e vlerëson kancelarja Merkel nismën ‘Ballkani i Hapur’ dhe se çfarë roli luan “Ballkani i Hapur” në realizimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal.

Me këtë deklaratë, qeveria gjermane lë të nënkuptohet se prioriteti i saj është realizimi i marrëveshjeve të dala nga forumi gjithëpërfshirës i Procesit të Berlinit. Njohës të proceseve të integrimeve evropiane të Ballkanit e vlerësojnë këtë forum si të vetmen platformë që shoqëron procesin e integrimit të rajonit drejt Bashkimit Evropian dhe u jep shans të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të shprehin prioritetet e tyre.

Deutsche Wellerikujton se javën e kaluar qëndrimi i mundshëm i qeverisë gjermane ndaj nismës ‘Ballkani i Hapur’ u interpretua në mënyra të ndryshme nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe në opinionin e gjerë. 

Ideja e Ballkanit të Hapur, dikur i njohur edhe si “mini-Shengen”, u prezantua në fillim në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë.

Më 29 korrik 2021, në një forum ekonomik që u mbajt në Shkup, kësaj nisme ju ndryshua emri në “Open Balkan” dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj nisme, e cila, ndër të tjera, synon që deri në vitin 2023 të heqë kontrollet ndërkufitare mes vendeve për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve.

Kosova është një nga vendet që e kundërshton me forcë këtë nismë, pasi thotë se prej saj përfiton më shumë Serbia.

Në javën e parë të muajit gusht parlamenti i Kosovës e përforcoi refuzimin e nismës Open Balkan (më parë Mini Shengen) me një rezolutë kundër marrëveshjes Kosovë-Serbi të katër shtatorit 2020./ Deutsche Welle/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia