close
Top LajmeVendi

BESIMI: DENARI ËSHTË STABIL, INFLACIONI ËSHTË NËN KONTROLL

267613509_391037462814892_2822219760924823637_n

GODITJA NGA ÇMIMI I RRYMËS DO TË “ZBUTET” ME MJETE NGA BUXHETI

Me një sërë masa dhe mjete të ndara nga buxheti për vitin 2022 do të ndihmohet elektroekonomia dhe prodhuesit e rrymës elektrike nga burime të pastra, me qëllim që të zbuten efektet nga rritja e çmimit të rrymës në bursat botërore. Ministri i Financave Fatmir Besimi nuk theksoi çfarë rritje e çmimit të rrymës pritet dhe në cilat çmime të tjera do të ndikojë e njëjta. Ai insiston se denari është stabil dhe nuk duhet të spekulohet për inflacion. Qeveria e ka zgjeruar listën e produkteve ushqimore bazë, çmimet e të cilave janë ngrirë deri në muajin janar, siç janë orizi, pastat dhe vezët.

Me nga 1000 denarë në muaj gjatë vitit të ardhshëm 45 mijë qytetarëve do t’u ndihmohet t’i paguajnë faturat e rrymës për shkak të shtrenjtimit të pritshëm, si rezultat i krizës energjetike në botë. Ndihmë është paraparë edhe prodhuesit e rrymës, nga fosilet dhe burimet e pastra, në mënyrë që goditjen nga çmimi të mos e ndjejnë pjesa më e madhe e qytetarëve.

FATMIR BESIMI, MINISTËR I FINANCAVE

“Pesë miliardë denarë janë ndarë nga buxheti për ELEM, edhe atë për pjesën e rritjes së prodhimtarisë, furnizimit plotësues me thëngjill, sipas nevojës edhe me energji elektrike. Gjithashtu edhe për vënien në përdorim të TEC Negotinë. Çmimi i prodhimtarisë në këto kapacitete prodhuese ende është më i ulët nga çmimi i rrymës në tregjet botërore, kështu që do të ndikohet në zbutjen e efektit të çmimit nga kriza globale.”

Për shkak të mbingarkesës së buxhetit, të punësuarit në sektorin publik vitin e ardhshëm të mos shpresojnë për K-15, kompensim për pushim vjetor.

FATMIR BESIMI, MINISTËR I FINANCAVE

“Për vitin 2022  nuk planifikohet K-15, për vitin 2021 është siç ishte parashikuar me ribalancin dhe po paguhet.”

Besimi i mohon spekulimet për rënie të denarit në raport me euron.

FATMIR BESIMI, MINISTËR I FINANCAVE

“Kemi kurs devizor fiks, kemi mjaftueshëm rezerva devizore dhe me çdo kusht do të ruhet kursi devizor i denarit. Kjo është baza e modelit tonë ekonomik dhe sistemit monetar. Të mos ketë asnjë dilemë për stabilitetin e denarit.”

Inflacioni, si pasojë e krizës korona, do të jetë më i lartë, por pritet stabilizim në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm me rreth 2%. Përndryshe Qeveria e ka zgjeruar listën e produkteve ushqimore bazë, çmimet e të cilave janë ngrirë deri në fund të muajit janar, duke përfshirë çmimet e orizit, pastave dhe vezëve, krahas bukës, vajit, sheqerit dhe produkteve tjera./KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia