Besimi: Me reformën e madhe fiskale vendosim buxhetim të bazuar në performancë

Projektimi dhe buxhetimi afatmesëm, sistemi i integruar informativ për menaxhim financiar (IFMIS), themelimi i Këshillit Fiskal, si dhe vendosja e rregullave dhe parimeve fiskale janë reformat kryesore të parapara në Ligjin e ri reformues për buxhete, i cili kaloi në lexim të dytë në kuvend dhe pritet të shqyrtohet së shpejti në seancë plenare. Ligji i ri për buxhete është shtylla e sistemit SMART të financave publike, shkruan në kolumnën e tij, ministri i Financave, Fatmir Besimi.

– Me këtë ligj vendoset edhe buxhetimi i bazuar në performancë, nëpërmjet vendosjes dhe monitorimit të treguesve të performancës (KPI – key performance indicators), me qëllim të përmirësimit të efikasitetit dhe efektivitetit të shpenzimeve publike përmes lidhjes së kostove në sektorin publik me rezultatet. Buxhetimi i bazuar në rezultate ka për qëllim që vendimmarrësit kryesorë dhe hartuesit e politikave t’i marrin në konsideratë sistematikisht rezultatet që duhet të arrihen me realizimin e shpenzimeve. Në këtë mënyrë arrihet qëllimi i përcaktimit të prioriteteve dhe politikave në buxhet sipas konceptit të ashtuquajtur, vlera e parasë (value for money), që do të thotë se mjetet në buxhet do të akordohen aty ku japin efekte më të mëdha në arritjen e qëllimeve për standard më të lartë dhe cilësi më të mirë të jetesës së qytetarëve – shkruan Besimi.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Ligji i ri për buxhete ka gjithashtu mekanizma për planifikim dhe zbatim më të mirë të projekteve kapitale. Shfrytëzuesit e buxhetit, si pjesë të procesit të përgatitjes së buxhetit, do duhet të parshtrojnë në Ministrinë e Financave studim fizibiliteti paraprak ose studim fizibiliteti për të gjitha propozimet e reja për investimet e mëdha, ku do të themelohet Njësia organizative për vlerësimin e investimeve (PIMA – public investment management assessment).

Ligji i ri për buxhete përcakton rregullat fiskale, deficiti buxhetor është përcaktuar në nivel deri në 3% të produktit të brendshëm bruto, ndërsa borxhi publik në nivel prej 60%, që në fakt sipas metodologjisë së re konsiderohet borxhi i qeverisë së përgjithshme (pushteti qendror dhe lokal), ndërkohë që borxhi i garantuar për ndërmarrjet publike dhe institucionet e tjera të sektorit publik që nuk janë shfrytëzues të buxhetit, kufizohet deri në 15% të produktit të brendshëm bruto. Gjithashtu rregullohet edhe themelimi i Këshillit Fiskal.

Këshilli Fiskal ka për qëllim të vlerësojë në mënyrë të mëvetësishme politikën fiskale, strategjitë dhe zbatimin e tyre, si dhe projeksionet makroekonomike dhe buxhetore. Këshilli do të përbëhet nga 3 anëtarë – ekspertë të fushës së financave publike, makroekonomisë apo ekonomisë, të propozuar nga ASHAM-i, Enti Shtetëror i Revizionit dhe Banka Popullore dhe do të përzgjedhen nga kuvendi – thekson ministri Besimi.

Një ndër reformat më të rëndësishme që sjell Ligji i ri për buxhete është Sistemi bashkëkohor informativ i menaxhimit të financave (IFMIS). Qëllimi kryesor i IFMIS është përmirësimi i efikasitetit dhe transparencës së punës nëpërmjet lidhjes së sistemeve aktuale të fragmentuara, në platformë të centralizuar të bazuar në ueb, përmes benefiteve të teknologjive më të fundit dixhitale.

-IFMIS do sigurojë monitorim të integruar të të hyrave dhe shpenzimeve nga planifikimi deri në realizimin e tërësishëm, që do të ndikojë në përmirësimin e buxhetimit dhe realizimin e buxhetit. Sistemi do të vendosë kornizë buxhetore shumëvjeçare, do të mundësojë vendosjen e funksionit të menaxhimit të investimeve publike në lidhje me sistemin e ardhshëm të investimeve publiko – private, sistem i automatizuar për mbikëqyrjen e detyrimeve, duke përfshirë detyrimet shumëvjeçare dhe të dhënat e centralizuara për ndërmarrjen e detyrimeve, menaxhimin me mjetet fikse dhe menaxhimin me borxhin – shkruan ministri i Financave.

Ligji i ri për buxhete parashihet që të hyjë në fuqi nga fillimi i vitit 2023, me përjashtim të disa dispozitave që i referohen Këshillit Fiskal, planifikimit strategjik, projeksioneve makroekonomike, strategjisë fiskale, kontrollit të brendshëm financiar dhe njësisë organizative të IFMIS për reformën e Ligjit për buxhete, që do të zbatohen me hyrjen në fuqi të ligjit në fjalë.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share