close
Top LajmeVendi

“BIE” PLATFORMA PËR MËSIMIN ONLINE

Mesimi-Online

Vetëm tri ditë para ditës kur duhet të fillojë përdorimi i saj, dështon sistemi i platformës për mësim online në të gjitha shkollat në vend. Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se ende testohet softueri me të cilin pritet që të shërbehen më shumë se 270 mijë nxënës, arsimtarë dhe prindër.

Vazhdon testimi i platformës së vetme të krijuar për mësim në distancë për shkollat fillore dhe të mesme në vend që duhet të fillojë më 1 tetor. Një pjesë e nxënësve që tashmë i kanë marrë fjalëkalimet për kyçje nga arsimtarët e tyre, sot për disa çaste patën mundësi të njoftohen me shkollën online, por në përpjekjen e rradhës për t’u kyçur hasën në “error”, përkatësisht gabim në ueb-faqe.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës menjëherë informoi se platforma ende testohet dhe verifikohen të gjitha sfidat që të arrihet funksionalitet i plotë. Profesori Boro Jakimovski, nga Fakulteti i Shkencave të Informatikës, ku është krijuar platforma me shfrytëzim të veglave nga Microsoft, thotë se testimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

“Mendoj se nxënësit do të kenë mundësi për zbatim më të organizuar të mësimit. Do të ketë projekt pilot, por para së gjithash në drejtim të asaj nëse sistemi do ta mbajë ngarrkesën. Ky është shqetësimi ynë i vetëm.”

Rreth 270 mijë filloristë, nxënës të shkollave të mesme, arsimtarë dhe prindër pritet që nga dita e enjte të mund të shërbehen me platformën kombëtare për mësim online, që do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, kur për shkak të epidemisë korona nuk rekomandohet ndjekja fizike e orëve në shkollë. Pjesa më e madhe e arsimtarëve tashmë kanë kaluar trajnim adekuat për punë me platformën në fjalë./KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia