close
Vendi

BISEDIMET E PËRZHINËS: NË PRITJE TË MARRËVESHJES PËRFUNDIMTARE

largea_2318431452955246

Kriza politike në Maqedoni duhet të ketë një epilog, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje, por pjesëmarrësit në bisedimet e Përzhinës nuk kanë arritur ende të përmbushin afatin për t’i informuar ambasadorët Orav dhe Bejli për çështjet e hapura që duhet të marrin pajtueshmërinë e të gjitha palëve.

Çështja më e diskutueshme që nuk po arrin pajtueshmëri midis grupeve të punës në bisedimet e Përzhinës janë kompetencat e ministrit të ardhshëm të Punëve të Brendshme, në kuadër të qeverisë kalimtare. LSDM-ja opozitare nuk po pajtohet që ministrit të Brendshëm t’i merren kompetencat në sferën  e ndryshimeve kadrovike në polici dhe për këtë arsye kërkohet që të tërhiqet ky Ligj.

Një pikë tjetër që ka prodhuar ndasi në kampet politike të këtyre bisedimeve, është edhe dilema rreth propozimit për formimin e një trupi regulator ad-hok që do të kontrollonte punën e mediave, 100 ditë para dhe gjatë zgjedhjeve, por i kontestuar nga Shoqata e Gazetarëve të Maqeonisë.

Sa i përket 40 mijë votuesve të kontestuar, partitë ende nuk janë dakorduar se sa duhet të zgjasë thirrja publike – 20 apo 30 ditë, drejtuar atyre, të cilët nëse nuk do ta dëshmojnë prezencën e tyre do të fshiehn nga lista zgjedhore.

Partitë politike shqiptare, pjesëmarrëse në këto bisedime, duhet të zgjidhin dilemën nëse në këtë grup prej 40 mijë votuesve të kontestuar, bëjnë pjesë edhe mërgimtarët shqiptarë.

Por, ajo që ngelë dilemë e hapur, është afati se kur do të tejkalohen të gjitha këto barriera për t’iu hapur udhë zgjedhjeve, të cilat duhet të jenë të lira dhe demokratike. Në Maqedoni, klasa politike nuk ka treguar përgjegjshmëri në përmbushjen e afateve, prandaj edhe spekulimet për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve, janë nga më të ndryshmet. Sipas një version, ato do të duhej të mbahen në gjysmën e pare të nëntorit, mirëpo për shkak të zvarritjeve të shumta, si opcion rezervë mbetet fundi i nëntorit, gjegjësisht datat 20 dhe 27.

Kabineti i ri qeveritar do të duhej të zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve, nëse ato do të mbaheshin në fund të nëntorit, apo fillim të dhjetorit. Por, mandati i qeverisë së re kalimtare do të mund të ishte edhe me kohëzgjatje prej 6 muajve, nëse zgjedhjet do të mbaheshin në pranverën e vitit të ardhshëm bashkë me zgjedhjet lokale.

Sido që të jetë, përbërja aktuale parlamentare, do të duhej të vendosnin për shumë tema të ndieshme, para se Kuvendi të shkojë në pushim zyrtar më 3 gusht. /E. A. /

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia