close
Sport

BOKS: PROBLEME MES PALËVE, SFIDA FURY-WHYTE DREJT ANULLIMIT

Boks 2

Frank Warren, menaxheri i boksierit britanik Tyson Fury, u shpreh se kampioni i botës në peshën e rëndë (kategoria WBC) nuk do të duelojë ndaj Dillian Whyte në sfidën e radhës, që pritet të jetë në mars të 2022-shit. Madje në sfidën e radhës, Fury nuk do të duelojë për të mbrojtur titullin kampion.

 

Janë dy arsyet që kjo sfidë nuk do të zhvillohet: E para mosmarrëveshja që vetë boksieri Dillian Whyte ka me WBC, çështje e cila është në arbitrazh. Dhe, e dyta, mosdakortësimi i dy boksierëve për ndarjen e të ardhurave.

Warren nuk beson se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti, ndaj Fury mund të përballet me një rival tjetër në mars. “Kemi një problem, pasi WBC dhe Dillian Whyte janë në arbitrazh mes tyre dhe kjo çështje nuk do të zgjidhet deri në mars. Për pasojë, ne nuk mund të negociojmë dot për sfidën”, tha Warren.

Edhe pse WBC ka urdhëruar dy boksierët të përballen mes tyre, duket se nuk ka një marrëveshje për sa i përket anës financiare. Whyte kërkon një ndarje të të ardhurave 55-45 në favor të Fury, ndërsa kampioni i botës kërkon një ndarje 80-20 në favorin e tij. Ndaj, situata është e ndërlikuar./KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia