close
Rajoni

BORELL BISEDON NË TELEFON ME THAÇIN DHE VUÇIQIN

Screenshot_6

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, bisedoi të mërkurën me telefon me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë e Serbi dhe “rëndësinë e rifillimit të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve”.

Në njoftim të Zyrës së Shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, thuhet se Josep Borrel bisedoi me të dy presidentët për përparimin në rrugën drejt BE-së dhe rëndësinë e këtij përparimi para takimit të lartë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Zagreb në muajin maj.

Në njoftim të zyrës së tij gjithashtu thuhet se zoti Borrell konfirmoi vendosmërinë dhe angazhimin e tij si lehtësues i bisedimeve me mbështetjen e vendeve anëtare të BE-së. Zoti Borrell ritheksoi synimin e tij për të vizituar Prishtinën dhe Beogradin në javët që vijnë.

Ndërkaq, presidenti Thaçi, tha në një njoftim se janë pajtuar me zotin Borrell për nevojën e themelimit sa më shpejtë të institucioneve të reja qeverisëse në Kosovë. Një njoftim thuhet se ai i kërkoi BE-së të përmbushë detyrimin “për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme”.

Në njoftimin e zyrës së tij thuhet se “presidenti Thaçi dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së u pajtuan rreth nevojës që të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve”.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave. /Klan Macedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia