close
Top LajmeVendi

BORISOV: JO NË BE ME KORRIGJIM TË HISTORISË

Screenshot_6

Bullgaria përkrah fillimin e negociatave për RMV-në dhe Shqipërinë


Kryeministri i Bullgarisë Bojko Borisov edhe sot ka shprehur përkrahje për fillimin e negociatave aderuese mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në. Por, siç ka potencuar, Maqedonia e Veriut nuk mund që këtë proces ta kalojë “në llogari të Bullgarisë duke rishikuar historinë. Kryeministri Zoran Zaev shfaqi shpresën se Komisioni i përbashkët për çështje historike dhe arsimore, në bazë të fakteve dhe të vërtetës, do të gjejë zgjidhje.

Dallimet historike tash për tash nuk janë duke penguar “dritën jeshile” nga Sofja për fillimin e negociatave aderuese mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në, por megjithatë në fazat e mëtutjeshme, sipas Kryeministrit bullgar Bojko Borisov, ekzistojnë mbi 70 instrumente që mund të shfrytëzohen në veçanti në marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, në rast se Bullgaria ka vërejtje, sikurse tani – rreth çështjes së personaliteteve dhe ngjarjeve historike që dy vendet i vlerësojnë se të tyre.

“Me rëndësi të veçantë është të pranohen në BE, por gjithashtu është shumë me rëndësi të kuptojnë se kjo varet nga ata dhe se nuk mund kjo të ndodh në llogari tonë, me rishikim të historisë. Për këtë shkak ne i kemi dhënë të drejtat tona komisionit. Nëse kuptohen një ditë më parë – mirë, nëse jo do t`i shohim reagimet e tyre.” –tha Bojko Borisov-Kryeministër i Bullgarisë.

Borisov sot ka marrë pjesë në takimin konsultativ rreth kësaj çështjeje, të thirrur nga Presidenti bullgar Rumen Radev, ku është përsëritur se nevojitet një qëndrim me kërkesa të qarta për shkak të mbrojtjes së interesave kombëtare bullgare. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, gjithashtu shfaqi shpresën se komisioni dypalësh, në bazë të faketeve dhe të së vërtetës, do të gjejë zgjidhje.

“Unë mendoj se mundemi shumë shpejt të gjejmë zgjidhje, ndonjëherë ne politikanët duhet t’ua lëmë ekspertizën ekspertëve. Qëllimi është që ta fuqizojmë miqësinë dhe fqinjësinë e mirë. Ne kemi nënshkruar marrëveshje ku pranuam se kemi histori të përbashkët, dhe s’do mend se një pjesë e historisë është e veçantë. –deklaroi Zoran Zoran Zaev, Kryeministër i RMV-së.

Ndërkaq, Denko Maleski, ish-ministër i parë i Jashtëm i Maqedonisë së pavarur, në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, ditë më pare, duke folur për TV Klan, tha se tejkalimi i çështjeve të debatueshme që lidhen me historinë e bullgarëve e të maqedonasve, mes Sofjes e Shkupit zyrtar, është më i vështirë se ai me Greqinë fqinje. Për paralajmërimet bullgare se Komisioni i përbashkët duhet t’ju japë zgjidhje çështjeve të debatueshme, në të kundërtën Sofja mund të frenojë procesin e integrimit, profesori Maleski thotë se ato duhet marrë me seriozitet:

Do të thoja se ata e kanë seriozisht, por sikurse dëgjova, nëse Franca dhe Gjermania bien dakord për datën e çeljes së negociatave, nuk do të bëjnë obstruksione. Bullgaria do të dëmtonte shumë politikën e saj sikur t’ju kundërvëhet këtyre vendeve të fuqishme, por bullgarët kanë thënë se gjatë negociatave – po, mund të përdorin të drejtën e tyre për të vënë veto.’ – shprehet Denko Maleski, Ish-ministër i Jashtëm.

Komisioni maqedono-bullgar I përbërë nga historian, ambasadorë dhe njohës të lëndës, deri më tani ka arritur pajtim për katër periudha historike, kryesisht të së kaluarës së largët, por jo edhe për figurën kryesore që paraqitet si pengesë – personalitetin dhe veprën e Goce Dellcaveit, që të dyja vendet e vlerësojnë si heroin e tyre. Mbetjet mortore të Goce Dellcevit pas Luftës së Dytë Botërore vullnetarisht u dorëzuan në Maqedoni dhe ata gjenden në oborrin e një kishe në Shkup. /Biljana Georgievska/

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia