close
Bota

BRITANIA E MADHE UDHËHEQ NË GARËN PËR VAKSINIM

thumbs_b_c_4d44d7be77046530c52801dadfc87f4b

“ÇALOJNË” VENDET TJERA EVROPIANE


Me pothuajse një të katërtën e popullatës së përgjithshme të vaksinuar me dozën e parë të vaskinës kundër virusit korona, Britania e Madhe konsiderohet vendi më i përparuar në Evropë në procesin e imunizimin masiv. Qeveria tashmë ka paralajmëruar heqje graduale të karantinës, ndërsa britanikët prej dje masivisht kanë bërë rezervime për pushime verore nga korriku i këtij viti. Vendet tjera në Evropë, të cilat insistojnë për dy doza të vaksinës, janë shumë më larg, me përqindje që lëvizin në mes 0,4 dhe 4,5 nga popullata e përgjithshme e imunizuar plotësisht.

Duke e ndjekur këshillën e ekspertëve se vaksinimi i numrit sa më të madh të popullatës është zgjidhja e vetme për krizën korona, vendet në Evropë janë në një lloj gare. Përparim më të madh për momentin ka Britania e Madhe, me mbi 17 milion njerëz të vaksinuar, rreth një e katërta e popullatës, me dozën e parë, që sipas një pjese të mjekëve të atjeshëm paraqet mbrojtje të konsiderueshme. Kryeministri Boris Xhonson dje ka publikuar plan për heqjen graduale të karantinës dhe kthim në jetën normale, nga 8 marsi deri në fund të muajit qershor.

BORIS XHONSON, KRYEMINISTËR, BRITANI E MADHE

“Shkollat dhe kolexhet sërish do të mbajnë mësim pas 8 marsit, sepse konsiderohen të sigurta. Nga 29 marsi do të mund të takohen deri në gjashtë miq dhe familjarë. Më 12 prill do të hapen dyqanet, parukeritë, pabet dhe restoranet për shërbimë në ambient të hapur, ndërsa më 21 qershor do t’u themi “lamturmirë” të gjitha restriksioneve të tjera.”

Vendet tjera evropiane kanë mbetur shumë pas në procesin e imunizimit, diku për shkak të mungesës së vaksinave, ndërsa diku për shkak të qasjeve të ndryshme, përkatësisht insistimit për dy doza. Malta dhe Portugalia konsiderohen të sukesshme me mbi 4% të popullatës me dy doza të pranuara të vaksinës. Belgjika, Çekia, Danimarka dhe Irlanda kanë rreth 3% të njerëzve plotësisht të vaksinuar, ndërsa më poshtë në këtë listë janë Bullgaria, Franca, Kroacia, Greqia dhe Gjermania me dy doza të vaksinës për vetëm 0,4 deri 2% të njerëzve. Britanikët që besojnë se në muajt e ardhshëm do ta marrin edhe dozën e dytë, prej ditës së djeshme deri sot kanë bërë 500% më shumë rezervime për pushime verore, duke planifikuar të udhëtojnë kryesisht në Greqi, në Spanjë dhe në Portugali. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia