close
Bota

Britania heton nëse Rusia ka përdorur armë kimike në Ukrainë

14670982

Britania po përpiqet të verifikojë raportet nëse Rusia ka përdorur armë kimike në një sulm në qytetin e rrethuar ukrainas të Mariupolit, tha ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar.

James Heappey, në një deklaratë për “BBC Breakfast”, tha se raportet se municione të tilla janë përdorur kundër qytetit jugor të rrethuar të Mariupolit kanë qarkulluar në mediat sociale të Ukrainës, por as inteligjenca britanike e mbrojtjes dhe as homologët e tyre në Kiev nuk kanë qenë në gjendje t’i verifikojnë këto pretendime.

Gjithashtu Heappey shton se Mbretëria e Bashkuar po “punon urgjentisht” për të zbuluar nëse janë përdorur armë kimike. Ai përsërit komentet e Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar se Rusia do të jetë përgjegjëse nëse konfirmohet përdorimi i armëve kimike.

Nëse ka prova që armë të tilla janë përdorur, atëherë “të gjitha opsionet janë në tryezë” për sa i përket përgjigjes ndërkombëtare, thotë Heappey.

“Verifikimi është padyshim shumë i rëndësishëm,” shprehet Heappey. “Nëse do të përdoreshin armë kimike, është një moment shumë i rëndësishëm për Kryeministrin tonë dhe krerët e tjerë të qeverive në mbarë botën”, tha ai. /tvklan.al

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia