close
Vendi

BYTYQI: SHBA-të FOKUSOHEN NË EKONOMINË E RAJONIT

F7B90B0B-D6DF-413A-B5B6-D4C333C4B264

Takimi i ditës së djeshme në Selanik, me liderët ekonomikë grekë, por edhe me sekretarin amerikan të shtetit Majk Pompeo, është sinjal për mbështetjen amerikane për zhvillim ekonomik të rajonit – konsideron zv/kryeministri Fatmir Bytyqi, i cili ishte pjesë e delegacionit qeveritar treanëtarësh nga Maqedonia e Veriut. Ai pohoi se njëra nga temat ka qenë ambicia e vendit për pjesëmarrje në platformën e gazit të lëngshëm afër qytetit grek Aleksandropolis, që do sipërmarrësve të vendit do t’u siguronte burim të sigurtë të energjisë. 

 


Relacionet me Greqinë tani janë fokusuar në ekonomi, ndërsa çështjet tjera “i lëmë pas si të zgjidhura”, ka vlerësuar zv/kryeministri Fatmir Bytyqi pas takimit të djeshëm me ministrat qeveritarë grekë dhe me sekretarin amerikan të shtetit Majk Pompeo. SHBA-të edhe më tej do ta mbështesin rajonin, posaçërisht zhvillimin e tij ekonomik, me qëllim që jugu i Ballkanit të bëhet më konkurent në tregun e energjisë, shtoi Bytyqi. 

“Konkretisht flasim për inter-konektorin për gazsjellësin me Greqinë, për të cilin shumë shpejt do të kemi përfundim të gjithë procesit dhe fillim të realizimit, të gjitha pengesat administrative janë të mënjanuara te të dyja palët dhe sigurisht për terminalin e ri për gaz të lëngshëm në Aleksandropolis dhe për qëllimin tonë që si qeveri e kemi paralajmëruar para disa javësh, gjatë vizitës në Athinë, se dëshirojmë të jemi pjesë përbërëse e gjithë kësaj.” thotë Zv/Kryeministri për Çështje Ekonomike – Fatmir Bytyqi.

 

 

Këto dy projekte energjetike, të cilat ende janë në formë paralajmërimi, pritet që brenda 2-3 viteve Maqedoninë e Veriut ta bëjnë shumë më konkurente se tani, ndërsa sipërmarrësve t’u ofrojnë qasje më të lirë dhe më stabile te burimet energjetike. SHBA-të e shohin si interes të tyre pozicionimin e Greqisë si qendër rajonale energjetike me infrastrukturë strategjike të veten. 

“Takim i shkëlqyeshëm me kryeministrin Micotakis në Kretë. Patëm bisedë konstruktive për politikën rajonale, për ekonominë dhe për bashkëpunimin energjetik. SHBA-të motivojnë kthimin e dialogut dhe zgjidhje paqësore të të gjitha kontesteve në Mesdheun Lindor.” ka shkruar Majk Pompeo ne Twitter.


Platforma për gaz të lëngshëm në afërsi të Aleksandropolisit, ku Greqia ka pjesën më të madhe të aksioneve, por edhe Bullgaria rreth 20%,  konsiderohet si përpjekje për uljen e varësisë së vendeve nga gazi rus. 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia