close
Rajoni

ÇËSHTJA BUZHALA-REAGIME: KOSOVA NUK PRANON DIKTATE NGA JASHTË

Enver-Hoxhaj

Një reagim sarkastik i gazetarit nga Prishtina Burat Buzhala në adresë të shtetit turk, ka shkaktuar reagime të ambasadës së Turqisë në Kosovë, e cila në emër të shtetit që përfaqëson ka kërkuar nga institucionet kosovare ndërmrarjen e masave ligjore ndaj gazetarit.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, deklaroi për Europën e Lirë se nota verbale e Ambasadës Turke në Prishtinë “është e pazakontë dhe e papranueshme dhe njëkohësisht një mbireagim i saj”.

Ministri Hoxhaj tha se Kosova respekton lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit dhe të mendimit dhe e cilësoi shkrimin e gazetarit Berat Buzhala “me përmbajtje sarkastike dhe pa qëllime politike”.
Ministri i Jashtëm i Kosovës tha se Kosova është “një shtet i ri i vogël, që megjithatë ka nevojë që të ruajë prestigjin, krenarinë dhe kredibilitetin ndërkombëtar, t’i mbrojnë interesat e qytetarëve të saj po aq sa edhe t’i ruajë raportet e mira me vendet mike”.

Ministri Hoxhaj i dha këto vlerësime pas kërkesës zyrtare të Ambasadës së Turqisë në Prishtinë drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për të ndëshkuar me burg gazetarin Berat Buzhala, për shkak të komenteve të tij thumbuese të bëra në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, Kryeprokurori i Kosovës Aleksandër Lumezi ka thënë se do të marrin masa nëse ka elemente penale rreth çështjes së gazetarit Berat Buzhala, ndaj të cilit Ambasada e Turqisë në Kosovë ka kërkuar arrestimin e tij për shkak të komenteve të bëra për grusht-shtetin në Turqi.

 

Këto komente Lumezi i ka bërë gjatë një konference për media pas takimit me ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Reagime të shumta kanë ardhur edhe nga subjektet tjera politike, por edhe nga shoqëria civile, të cilët njëzërit e dënojnë ndërhjyrjen e një shteti tjetër në lirinë e shprehjes së gazetarëve të Kosovës. /Agjencitë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia