close
Rajoni

ÇFARË PRITET NGA VIZITA E PALMERIT NË BEOGRAD

Screenshot_6

Analistët: Zhbllokimi i dialogut vjeshtën e ardshme?


I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, në kuadrin e turneut rajonal, pritet që fillimjavën e ardhshme të vizitojë edhe Beogradin. Për shkak të zvarritjes së formimit të Qeverisë së Kosovës, por edhe zgjedhjeve të ardhshme në Serbi, analistët në kryeqendrën serbe nuk parashikojnë se dialogu serbo-kosovar do të mund të fillojë së shpejti.

Ambasada amerikane në Beograd ka pralajmëruar se emisari amerikan për Ballkanin, Mathew Palmer, do të bisedojë me presidentin Aleksandar Vuçiq e zyrtarë të tjerë të lartë serbë si dhe me ambasadorë të vendeve fqinje, ku në qendër të vëmendjes do të jetë rëndësia e rinisjes së dialogut mes Beogradit e Prishtinës për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme që do të shënonte edhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.  Mirëpo, analistët në Serbi çmojnë se kjo gjë nuk pritet të ndodhë së shpejti:

‘Edhe zoti Palmer e ka të qartë, si dhe të gjithë të tjerët, se dialog nuk do të ketë përderisa në Prishtinë nuk përfundon cikli i formimit të pushtetit, e pastaj derisa të mos kalojnë zgjedhjet parlamentare në Serbi. Pra, vetëm vjeshtën e ardhshme mund të presim që të punohet seriozisht për dialogun,’– thotë për televizionin N1 gazetari Miki Mihajloviq, një njohës i mirë i marrëdhënieve serbo-kosovare. Mathew Palmer gjatë vizitës në Prishtinë, por edhe në Shkup, këtë javë, ritheksoi se Serbia nuk do të mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa zgjidhjen e kontestit të vjetër me Kosovën.

Për më tepër, zyrtari i lartë amerikan, tërhoqi vërejtjen se administrata amerikane është e shqetësuar nga dislokimi i pajisjes ushtarake ruse në territorin e Serbisë dhe, në këtë shtrirje, nënvizoi se kjo mund të çojë edhe në vendosjen e saksioneve të veçanta. Ndërkohë, ambasadori i sapoemëruar amerikan në Serbi, Anthony Godfrey, i ka deklaruar të përditshmes serbe Politika se nuk planifikon që t’ju mbajë ligjërata udhëheqësve serbë, por shpreson në dialogun e hapur. Me këtë rast ai ka porositur se nuk ka ndryshuar qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, se administrata amerikane dëshiron arritjen e një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës që në ‘kushte ideale’ do të mbështetet në njohjen e ndërsjellë.

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia