close
BotaTop Lajme

ÇMIMI NOBEL PËR PAQE PËR GAZETARËT RESSA DHE MURATOV

NOBEL PEACE

Gazetarja filipino-amerikane, Maria Ressa dhe kryeredaktori i gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta, Dmitry Muratov, kanë fituar Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2021.

Komiteti i Nobelit tha se çmimi iu ndahet pasi ata kanë mbrojtur lirinë shprehjes që është parakusht për demokracinë dhe paqen.

“Gazetarëve Ressa dhe Muratov po iu ndahet Çmimi Nobel i Paqes për luftën e tyre të guximshme për lirinë e shprehjes në Filipine dhe Rusi”, tha Komiteti i Nobelit përmes një deklarate më 7 tetor.

“Në të njëjtën kohë, ata janë përfaqësues të të gjithë gazetarëve që ngrisin zërin për këtë ideal në një botë në të cilën demokracia dhe liria e shtypit përballen me kushte gjithnjë e më të pafavorshme”, thuhet në deklaratë.

Gazetarja Ressa, është bashkëthemeluese e faqes së lajmeve Rappler. Ajo u vlerësua pasi e ka shfrytëzuar lirinë e shprehjes për të “ekspozuar rritjen e autoritarizmit, keqpërdorimin me pushtetin dhe përdorimin e dhunës në vendin e saj të lindjes, Filipine”.

Komiteti tha se gazetari Muratov, në kushte gjithnjë e më të vështira e ka mbrojtur për dekada lirinë e fjalës në Rusi.

Çmimi Nobel për Paqen, që ndahet çdo vit, nderon individë apo organizata që “bëjnë angazhimin më të madh për të mirën e njerëzimit dhe miqësisë mes kombeve”.

Vitin e kaluar Çmimi Nobel iu nda Programit Botëror të Ushqimit, një agjenci e Kombeve të Bashkuara që përpiqet të luftojë urinë në botë.

Fituesit e Çmimit Nobel do të marrin një medalje ari dhe do të ndajnë mbi 1.1 milion dollarë.

Industrialisti suedez Alfred Nobel themeloi çmimet në testamentin e tij, të shkruar një vit para vdekjes së tij më 1896./REL/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia