BRENDA 24 ORËVE SHUHEN 685 VETA
Në Indi është regjistruar numër rekord prej 126.789 i të prekurve nga koronavirusi si dhe 685 viktima. Ky është bilanci ditor më tragjik që nga nëntori i kaluar.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës, këtë të enjte, ka bërë thirrje për vaksinimin e të gjithë popullsisë së vendit duke nënvizuar se kjo është ‘njëra ndër mënyrat e mposhtjes së virusit’ vdekjeprurës.
Agjencitë e lajmeve rikujtojnë se procesi i vaksinimit në Indi ka nisur në janar dhe dozën e parë deri tani e kanë marrë mbi 90 milion punonjës të shëndetësisë dhe qytetarë të moshës mbi 45 vjeçe. Raportohet se në vendin me 1.4 miliardë banorë, vetëm 11 milion veta kanë marrë të dyja dozat. Me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, autoritetet kanë vendosur orën policore nëpër shumë qytete, por qeveria qendrore ka nguruar të vendosë mbylljen e plotë për shkak të reflektimit të sajë në ekonomi.
Numri i të prekurve nga COVID-19 deri tani ka shkuar në mbi 12 milion e 800 mijë veta, kurse i viktimave kapërcen shifrën prej 166 mijë njerëzve. /KlanMacedonia/