close
Top LajmeVendi

COVID-19 KËRCËNIM PËR 29 MIJË VENDE PUNE NË HOTELERI

ANGELOVSKI: TË NEVOJSHME MASA KONKRETE EKONOMIKE


Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme deri 50 të punësuar janë më të prekurat nga gjendja e shkaktuar nga Kovid 19, thonë nga Oda turistike hotelierike. Ata kërkojnë nga qeveria masa ekonomike konkrete përmes të cilave rreth 29 mije punëtorë do t’i ruajnë vendet e tyre të punës.

Masat ekonomike të propozuara deri tani janë vetëm të paralajmëruara, që 10 ditë nuk ka asgjë konkrete, thonë përfaqësues të rreth 1000 objekteve hotelierike në vend.

“Masat e propozuara për momentin nuk i zgjidhin problemet dhe jo vetëm që nuk do të na ndihmojnë t’i tejkalojmë problemet financiare, por do të hyjmë në borxhe. Pakoja e propozuar e masave do të hyjë në fuqi në muajin prill, ndërsa ne më shumë se një gjysmë muaji jemi pas asnjë të ardhur.” –tha Martin Angelovski, Grupimi i Hotelierisë.

Hotelierët të paktën deri tani nuk e dinë sa është humbja në total në këtë sektor, por kanë kërkesa shtesë me qëllim sanimin e dëmeve.

“Subvensionimi i pagës minimale bruto për të punësuarit derisa zgjasin masat preventive, shtyrje e pagesës së obligimeve tatimore në gjashtë muajt e ardhshëm, ngrirje dhe riprogramim i obligimeve të kredive dhe kamatave dhe detyrimeve ndaj bankave deri në përfundim të krizës, të funksionojë urgjentisht dhe pa prolongime hapja e linjave kreditore me kamatë të subvencionuar, të mos zbatohet Ligji për diciplinë financiare në tre deri pesë muajt e ardhshëm, të ketë pagesë të shtyrë të të gjitha shpenzimeve deri në përfundim të pandemisë.”-shprehet Martin Angelovski, Grupimi i Hotelierisë.

Paparashikueshmëria e kohëzgjatjes së krizës shkakton shqetësime shtesë te hotelierët, të cilët me rekomandim të qeverisë i  mbyllën bizneset e tyre. Siç kanë informuar nga Oda turistike, rreth 29 mijë vende të punës janë të rrezikuara dhe presin që qeveria t’u ofrojë ndihmë të drejtpërdrejtë. /Verica Dimitrijevski/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia