close
RajoniTop Lajme

DEÇAN: TRE TË VRARË NGA TË SHTËNAT ME ARMË ZJARRI

DEC

Tre persona janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit, rreth 100 kilometra larg Prishtinës.

Të shtënat kanë ndodhur të premten në orët e mbrëmjes.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Gashi ka thënë se një person është plagosur, porse ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Zëdhënësi i Spitalit Rajonal të Pejës, Naim Sahiti, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se gjendja e të plagosurit është stabile.

Motivet e sulmit nuk dihen ende.

Policia e Kosovës tashmë është në vendin e ngjarjes, duke i hetuar të gjitha pistat relevante, ka thënë Gashi.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikqi, ka konfirmuar po ashtu për REL-in se rasti është duke u hetuar.

Autobusi ka qenë duke qarkulluar në relacionin Gjakovë – Deçan, në kohën kur kanë ndodhur të shtënat.

Nuk është ende e qartë nëse autobusi ka qenë cak i të shtënave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i ka ftuar organet e rendit që “sa më parë t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë”.

Sulmin e kanë dënuar edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë./REL/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia