Deklaratë e njëanshme e RMV-së e bashkëngjitur në procesverbalin e Konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian

Siç është përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik është gjuhë zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut në gjithë territorin e vendit dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare.

Gjuha letrare maqedonase është kodifikuar në vitin 1945. Në përputhje me njohuritë e vërtetuara me akte, teoritë e pranuara gjerësisht dhe hulumtimet empirike të sllavistikës bashkëkohore botërore dhe  shkencën e gjuhësisë, gjuha maqedonase ka vazhdimësinë e saj gjuhësore, hapësinore dhe kohore. Kjo vazhdimësi bazohet në zhvillimin specifik të dialekteve që janë në bazën e saj dhe ishin përhapur në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjuha maqedonase përcaktohet si gjuhë sllave, e cila gjendet në grupin e gjuhëve sllave të jugut, e cila gjatë shekujve u rrit, u zhvillua dhe u ngrit në një gjuhë standarde nacionale mbidialektore të popullit maqedonas.

Gjuha maqedonase u pranua në Konferencën e Tretë të KB-së për standardizimin e emrave gjeografikë, e mbajtur në Athinë në vitin 1977.

Gjuha maqedonase mësohet në shumë katedra të sllavistikës dhe në lektorate të fakulteteve dhe universitete nëpër Evropë dhe në botë. Tradita e saj e gjatë e folur dhe e shkruar është fakt i pakontestueshëm në shkencën gjuhësore. Literatura e shkruar në gjuhën maqedonase ka fituar çmime dhe mirënjohje ndërkombëtare.

Gjatë lidhjes së çdo lloj Marrëveshjeje, kontrate ose dokumenti të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian të cilat përmbajnë dispozitë gjuhësore në të gjitha gjuhët zyrtare të BE-së, siç është Marrëveshja e Bashkëpunimit me Fronteksin, tw njëjtat duhet të nënshkruhen në gjuhën maqedonase pa asnjë sqarim, shtojcë apo fusnotë.

Gjatë negociatave për anëtarësim e deri në përfundimin e tyre me lidhjen e Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe pas pranimit të saj me anëtarësim të plotë në BE, Maqedonia e Veriut nuk do të pranojë të negociojë për zgjidhje tjetër për gjuhën maqedonase nga ajo e përcaktuar në Kornizën Negociuese. Me pranimin e Maqedonisë së Veriut me anëtarësimin e plotë në BE, gjuha maqedonase duhet të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share