close

Komuna e Prespës, e goditur mbrëmë nga moti i keq, pati dëme të mëdha materiale, por tani për tani nuk raportohet për persona të lënduar. Era e fortë dhe shiu kanë shkulur drunjë, çati, dhe janë rrëzuar më shumë shtylla të rrymës elektrike. Për shkak të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike, nuk punojnë pompat e ujit në fshatrat rreth vendkalimit kufitar Markova Noga.

Fshatrat Krani, Nakolec, Lubojno, Dollno Dupeni e të tjera rreth Liqenit të Prespës sot mbetën pa ujë, për shkak të instalimit të dëmtuar të rrymës, mbrëmë në motin e keq që e kaploi rajonin e Prespës. Dëmet materiale po vlerësohen, ndërsa rrugët janë duke u pastruar, deklaroi për TV Klan kryetari i komunës së Prespës, Zhivko Gosharevski.

“Ajo që është më e rëndësishme është se deri tani nuk ka të lënduar. Ekipet dhe të gjitha strukturat e disponueshme të komunës së Prespës janë në terren, duke përfshirë edhe të punësuar në Drejtorinë për mbrojtje dhe shpëtim. Të gjitha rrugët kryesore janë të hapura, por nga ana e komisionit do të vlerësohet dëmi i shkaktuar. Bëhet fjalë për mot të keq që nuk mbahet mend në Prespë, dhe një numër i madh i shtyllave të energjisë elektrike janë të rrëzuara, drunj të rrëzuar – pengesa në rrugë, çati të prishura të shtëpive, automjete të dëmtuara, por siç thashë nuk ka të lënduar.” –tha Kryetari i Komunës së Prespës, Zhivko Gosharevski.

Posaçërisht nga era e fortë janë goditur të mbjellat bujqësore, e përcjellur me të reshura shiu dhe breshëri në rajonin e Prespës, ndërsa banorët lokalë thonë se nuk mbajnë mend mot të këtille të keq. Disa sera të pemëve janë shkatërruar plotësisht, ndërsa praktika e bujqëve vendas për sigurimin e tyre është në nivel të ulët. Këtë rajon kufitar sot e vizituan ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe ai i Bujqësisë Trajan Dimkovski. Kryetari i komunës Gosharevski theksoi se komuna organizohet që të sigurojë ujë dhe në plotësimin e nevojave tjera të popullatës së prekur. Nga moti i keq patën dëme edhe fshatrat në breg të Liqenit të Ohrit Tërpejca, Lubanishte dhe Shën Naumi. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia