close
Vendi

DEUTSCHE WELLE PËR ‘NON PAPER’-in SHKUP-SOFJE

B24CF440-1A44-4380-8D89-C0B8E133165E

DISTANCOHEN, AMA PËR TË FLITET NË TË DYJA ANËT E KUFIRIT


‘Non paper’- it të shpalosur në publik të hënën nga Tv Klan Macedonia, vazhdon t’i bëhet jehonë në Shkup e Sofje, në mediat e të dyja vendeve, por edhe në ato ndërkombëtare. Radio Deutsche Welle shkruan këtë të mërkurë se ‘të gjithë distancohen nga kinse ‘non paper’-i i ri, por prapëseprapë për të debatohet në të dyja anët e kufitit’.

Sipas korrespondentes së radios prestigjioze gjermane nga Shkupi, burimet vendore të afërta me kontaktet zyrtare ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, vlerësojnë se me siguri fjala është për balona provues ose prova të ftohta të matjes së pulsit maqedonas. Sipas tyre, nëse propozimi gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut u mbindërtua me propozimin portugjez, pritet që portugjezi të mbindërtohet me propozimin e kryesimit slloven të Këshillit të Bashkimit Evropian. Me këtë rast, Deutsche Welle shtron pyetjen ‘nëse ‘Non paper’-i i publikuar para dy ditësh nga Tv ‘Klan’ pa e treguar burimin dhe i cili për nga përmbajtja është i kundërt me pozicionet kombëtare maqedonase, është projekt eventual i një propozimi të këtillë të mbindërtuar’?

Bashkëbiseduesit e paemërtuar të Deutsche Welles çmojnë se ‘kjo është shumë pak e sigurt’. Duke iu referuar përmbajtjes së dokumentit jozyrtar, një kopje të të cilit TV Klan Macedonia e ka parë dhe i cili është siguruar nga një burim i besueshëm, radioja gjermane shënon distancimin e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë nga i njëjti: ‘Autoritetet bullgare nuk kanë marrë pjesë kurrsesi në përgatitjen e non-paperit për zgjidhjen e kontestit ndërmjet autoriteteve në Sofje dhe Shkup’. Po ashtu, citohet edhe reagimi i presidentit maqedonas Stevo Pendarovski se ‘nga Sofja nuk ka mbërritur kurrfarë dokumenti’, si dhe reagimi Qeverisë se ‘në bisedimet me Bullgarinë, propozim zyrtar është ai që është prezantuar gjatë kohës së presidencës portugjeze me BE-në dhe ky propozim mundëson zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët’. Radioja gjermane transmeton edhe reagimet e shtypit në Sofje, duke cituar përfaqësuesin e ri të SHBA për Ballkanin Perendimor Gabriel Eskobar se çështja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duhet zgjidhur menjëherë, me qëllim që Maqedonisë së Veriut t’i lejohet vazhdimi i rrugës (së integrimit-shënimi ynë)për të cilën ka punuar me ngulm. Kjo, sipas medisa bullgare të cituar nga Deutsche Welle, nuk mund të pritet para se të përfundojnë zgjedhjet parlamentare, të tretat me radhë në Bullgari, por ndërkohë mbetet të sundojë pesimizmi se Sofja ka për të hequr dorë nga pozicionet e deritashme./ Klan Macedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia