close
dhune-compressor

OSBE dhe qeveria në përpjekje për arritjen e barazisë


Shuplaka dhe dhuna seksuale nga ana e partnerit, për një pjesë të madhe të popullatës në Maqedoni ende është sjellje normale, kurse vetëm 2% e viktimave të dhunës nga partneri, rastet i kanë paraqitur në polici. Këto janë gjetje dëshpëruese, vlerësojnë ekspertët e OSBE-s, pasi bënë hulumtim për dhunën gjinore në vend, duke theksuar se është e nevojshme të ndryshohet bindja te burrat dhe djemtë. Sepse, siç thonë, dhuna në bazë gjinore është problem i shoqërisë, jo vetëm i individëve.

Maqedonia e ka nënshkruar Konventën e Stambollit, dokument i Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe llojet tjera të diskriminimit – por duhet të bëhej hulumtim nga ana e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që publiku të kuptojë se vetëm 2% e grave – viktima të dhunës seksuale nga ana e partnerit, këtë e kanë paraqitur në polici. Se gati gjysma e grave, pjesëmarrëse në sondazh, mendojnë se dhuna në familje është çështje private dhe duhet të zgjidhet në shtëpi si dhe se disa “leksione më të vogla fizike nga ana e burrave” – si shuplakat për shembull, janë diçka normale. Për këtë arsye, shefi i misionit të OSBE-së në vend, Klemens Koja, pati nevojë t’u drejtohet burrave dhe djemve që ta ndryshojnë bindjen:

“Dhuna ndaj grave nuk është vetëm çështje e femrave, por kjo e brengos gjithë shoqërinë, prandaj u bëj thirrje të gjithë burrave dhe djemve të angazhohen plotësisht dhe të mbajnë përgjegjësi që të arrihet barazi gjinore dhe t’i jepet fund dhunës ndaj grave dhe vajzave. Të gjithë duhet të angazhohemi për zero tolerancë ndaj dhunës në bazë gjinore.” –tha Klemens Koja, Ambasador i OSBE.

Këshilltarja speciale e OSBE-së për çështje ndërgjinore, e ftuar në prezantimin e sotëm të raportit për mirëqenie dhe siguri të grave, në selinë e Qeverisë në Shkup, theksoi se hulumtimi krijon pasqyrë të qartë që të shihet gjendja dhe të krijohen mënyra për zgjidhjen e problemit, i cili rrënjët i ka thellë në traditë – burrëria të tregohet përmes kontrollës, pushtetit dhe disiplinimit fizik të grave:

“Një pjesë e vogël e grave mendojnë se duhet të ruhet perspektiva tradicionale për rolin e grave në familje, 37% mendojnë se miqtë e tyre pajtohen që gratë duhet t’u nënshtrohen burrave, edhe atëherë kur nuk pajtohen, ndërkaq 32% besojnë se duhet t’i tregohet partnerit kush është shefi.” –deklaroi Amarsana Darisuren, Këshilltare në OSBE.

Qytetarët me të cilët u konsultuam për këtë temë pajtohen se problemi ekziston, por më së shpeshti “fshihet nën tapet”:

“Gratë duhet të jenë më mendjehapura, më komunikative, dhe vetëdija duhet të jetë në nivel më të lartë, në qoftë se burrat kanë vetëdije të ulët, të paktën gratë të kenë spektër më të gjërë të të pamurit të gjërave… Jo vetëm ta festojmë 8 marsin atë ditë që festohet, por çdo ditë egoja mashkullore duhet të zvogëlohet.”

“Mendoj se kjo është katastrofa më e madhe që ndodh, e cila nuk dënohet mjaftueshëm, organizatat joqeveritare duhet të bëjnë më shumë presion, gratë ende ndjejnë frikë dhe turp, jemi shoqëri e tillë dhe ato kanë turp ta thonë të vërtetën “.

“Për mua kjo është absurd, si mund dikush të ngrejë dorë mbi gruan, unë nuk do ta lejoja asnjëherë në jetën time, absolutisht…Po, te disa gra primitive ekziston frika dhe turpi t’i paraqesin, por te gratë moderne dhe bashkëkohore, të cilat duhet ta respektojnë veten kjo nuk duhet të ekzistojë dhe nuk ekziston. Fëmijët duhet të edukohen që në vegjëli, por nësë babai i bie në shuplakë nënës, edhe fëmija do të bëhet i tillë”.

“…Gjithsesi, gratë frigohen dhe turpërohen dhe shumë rrallë paraqiten rastet e tilla”.

Ekspertët e OSBE-së insistojnë se në shoqërinë moderne gratë dhe vajzat duhet të jenë të sigurta, në shtëpi dhe jashtë saj, që të munden në mënyrë të barabartë si burrat ta tregojnë potencialin e vet dhe zhvillimin social. Por tani për tani përfundimi i tyre është se në vend disa forma të dhunës fizike të burrave ndaj grave janë të përhapura gjërësisht dhe shumë shpesh të paparaqitura. Qeveria premton metoda për ndryshimin e bindjes, por deri tani ligjet e shumta dhe strategjitë kanë mbetur vetëm në letër, ndërsa në realitet – numri i viktimave të dhunës në familje vazhdimisht është në rritje. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia