close
Rajoni

DIALOGU ME SERBINË: DËSHTON HARMONIZIMI I REZOLUTËS

kuvendi-18-635×330

KDI: Të bashkërendohen kërkesat


Në Kosovë Partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë nuk kanë arritur të harmonizojnë tekstin e rezolutës për kornizat e dialogut me Serbinë. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin para vetës një rezolutë të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe gjashtë pika të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.
Rezoluta e propozuar nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon që presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi të mos i lejohet të negociojë me Serbinë për çështjen e kufijve të Kosovës.

Të njëjtës rezolutë, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që t’i shtohen edhe gjashtë pika. Shefat e grupeve parlamentare, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, konfirmuan se nuk kanë arritur marrëveshje për harmonizimin e tekstit. Votimi në Kuvend ka sjellë si rezultat 50 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Ky numër i votave nuk ka mjaftuar që rezoluta të miratohet. Menjëherë pas votimit, partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje, kanë lëshuar sallën e Kuvendit.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili monitoron punën e Kuvendit u ka bërë thirrje subjekteve politike t’i bashkërendojnë kërkesat në një draft rezolutë të përbashkët lidhur me procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

“Republika e Kosovës nuk duhet të vazhdojë fazën finale të dialogut pa një qëndrim shtetëror të artikuluar në Kuvend, pa strategji dhe pa përcaktuar temat e diskutimit, vijat e kuqe, afatet kohore, pritshmëritë e palës kosovare në këtë proces dhe pa legjitimuar me anë të një rezolute ekipin udhëheqës të Kosovës në këto bisedime”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

Debatet në lidhje me dialogun me Serbinë pasojnë idenë e proklamuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sipas të cilës në marrëveshjen finale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të përfshihet edhe çështja, siç e ka quajtur ai, e korrigjimit të kufirit. Sipas opozitës, ideja e Thaçit për korrigjim të kufirit, ka si prapavijë ndarjen e Kosovës, edhe pse Thaçi këtë çështje e kishte mohuar në vazhdimësi. /Agjencitë/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia