close
KultureVendi

DITËLINDJA E ALFABETIT DHE E INSTITUTIT NË NJË FESTË

7.-gjithee-768×576

Sot u mbajt solemniteti qendror i manifestimit kulturor–shkencor “Ditët e Alfabetit”, me rastin e shënimit të 113-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe 14- vjetorit të themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Në fjalën e hapjes, drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, tha se Kongresi i Alfabetit, mbajtur nga 14 – 22 nëntor 1908 në Manastir, e oksidentalizoi kulturën e shkrimit shqip, si një mundësi e favorshme për ta shkëputur rrjedhën e historisë nga anarkia e shkronjave me alfabete të ndryshme në një alfabet unik.

“Duke kujtuar Kongresin e Alfabetit të mbajtur më 14 – 22 nëntor 1908, nervi i reagimit shkencor e kulturor bëhet më i prekshëm ndaj detyrimeve tona shoqërore e institucionale për gjuhën shqipe, si instrument mjaft i rëndësishëm në rrafshin e komunikimit shoqëror. Uroj që në vitet në vijim kultura e gjuhës dhe e komunikimit në mes të njerëzve të zgjerojnë dioptrinë e vrojtimit në ato pika ku e përbashkëta shkrihet në shtratin kohor të së ardhmes”, tha veç tjerash drejtori Asani.

“Ditët e Alfabetit” si manifestim tradicional shkencor e kulturor po vjen duke e marrë fizionominë e mirëfilltë edhe në saje të mbështetjes institucionale. Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministër i Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, e përfshëndeti manifestimin, duke uruar gjithë shqiptarët për këtë festë kombëtare, dhe veçanërisht punonjësit e Institutit për ditëlindjen e këtij institucioni të rëndësishëm shkencor dhe kulturor në vend.

“Tashmë 14 vite me radhë po e dëshmojmë edhe në mënyrë institucionale, përmes institucioneve tona që me përpikmëri realizojmë hulumtime shkencore, aktivitete arsimore dhe kulturore për të promovuar vlerat identitare të shqiptarëve të këtij vendi”, tha Grubi.

Me fjalë përshëndetëse në këtë solemnitet, të pranishmëve iu drejtuan edhe përfaqësues të lartë diplomatik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si: zëvendësshefi i Misionit në Ambasadën e SHBA-së në Shkup – Eric Meyer, ambasadori i Francës – Cyrille Baumgartner, ambasadori i Italisë – Andrea Silvestri, ambasadori i Izraelit – Dan Orian, dhe ambasadori i shtetit amë Shqipërisë – Fatos Reka.

Të pranishmit i përshëndeti edhe profesor Anton Nikë Berisha – në emër të Universitetit të Kalabrisë dhe Pelermos, ku ende studiohet gjuha e kultura arbëreshe. Të pranishëm ishin edhe delegacioni nga Universiteti i Prizrenit, me në krye rektorin Samedin Krrabaj.

Gjatë nëntë ditëve të kaluara, nga 14 e deri më 22 nëntor 2021, në manifestimin “Ditët e Alfabetit”, u shtjellua tema: gjuha, letërsia, kultura dhe tradita arbëreshe, e cila zgjoi interesim të madh jo vetëm në mesin e komunitetit arbëresh, por edhe të studiuesve të shumtë që morën pjesë me kumtesat e tyre nëpër sesionet e veçanta shkencore./KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia