close
Rajoni

DODIK: NË TIRANË KA QENDËR PËR PENGIMIN E NDIKIMIT RUS

Screenshot_6

Lideri serb thotë se nuk e njeh BEH-në


Lideri nacionalist i serbëve të Republika Serpskës dhe anëtar i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, ka deklaruar se në Tiranë, Podgoricë e Sarajevë ekzistojnë qendra për pengimin e ndikimit rus në Ballkan. Ai, në një intervistë për televizionin e Beogradit, ka përmendur se për këtë qëllim Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara kanë veçuar miliona dollarë.

I prezantuar si ithtar i bashkimit të Republikës Serpska që llogaritet si pjesë e Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, ka deklaruar se nuk e njeh këtë shtet anëtar të Presidencës kolketive të së cilësh është edhe vet:

‘Nuk e njoh këtë Bosnjë-Hercegovinë të krijuar me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar dhe të përfaqësuesve të lartë të saj,’ – ka deklaruar Dodik për Televizionin e Serbisë, duke iu kundërvënë kritikave ndërkombëtare për shënimin e nëntë janarit si ditë të Republikës Serpska, një veprim ky kundërkushtetues, për shkak se ky entitet nuk i gëzon atributet e shtetit.

Dodik ka riafirmuar kundërshtimin e aderimit të Bosnjë-Hercegovinës në Aleancën ushtarake të NATO-s dhe angazhimin për neutralitet ushtarak. Sipas tij, faktorë ndërkombëtarë po punojnë për pengimin e influences ruse në Ballkan përmes qendrave të ngritura në Sarajevë, Podgoricë dhe Tiranë, që në fakt synojnë destabilizimin jo vetëm të Republika Serpskës, por edhe më gjerë.

‘Është formuar Qendra për pengimin e të ashtuquaturit ndikim malinj rus në Srajevë, Podgoricë dhe natyrisht në Tiranë. Këto janë tri qendra në Ballkan. Këtu në Beograd me siguri vepron ndonjë e fshehtë që ende nuk mund të dekonspirohet, por natyrisht ne e dimë. Në Banja Llukë, po ashtu ekzistojnë ato qendra të ndryshme. Kur vijnë ata ambasadorët e tyre, ai britaniku takohet me opozitën ose sektorin joqeveritar e nuk takohet me organet e pushtetit,’ deklaroi Milorad Dodik duke përmendur se si qeveria britanike jep gjashtë milionë paund për veprime të organizuara për pengimin e ndikimit rus në Ballkan, ndërsa Qeveria amerikane ka dhënë, nëpërmjet USAID-it dhe organizatave të tjera më se 20 milionë dollarë.

Këto qendra, tha lideri nacionalist i serbëve në Bosnjë-Hercegovinë, vazhdimisht punojnë kundër Republikës Serpska dhe Serbisë. /Klan Macedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia