close
Screenshot_8

Protesta tregoi se përveç ndotjes së ajrit ka edhe shumë probleme tjera ekologjike


Komuniteti i bashkuar ekologjik në Maqedoninë e Veriut për herë të parë kërkon nga institucionet strategji gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e të gjitha problemeve të grumbulluara që e ndotin ajrin, ujin dhe të mbjellat në Maqedoninë e Veriut. Në protestën para Qeverisë disa mijëra qytetarë brohorisnin kundër mbetjeve të mbetura kimike në fabrikën OHIS, mbeturinave të ngurta të minierave në pjesën lindore të vendit, ajrit të ndotur në Tetovë, djegies së mbeturinave të rrezikshme dhe probleme të tjera.

Të rinj, të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe të të tjerëve dhe të vendosur të flasin hapur dhe me zë për të gjitha problemet ekologjike në Maqedoninë e Veriut.

Brohorimat “duam të marrim frymë”…

Në protestën të cilën vetë e quajtën “Revolucioni i gjelbërt” një numër i madh i të rinjve, të ardhur nga më shumë qytete, në Shkup para selisë së Qeverisë, me shumë pasion dhe shqetësim erdhën që t’u apelojnë autoriteteve se në të ardhmen nuk do të heshtin dhe të parnojnë që përfitimet të jenë më të rëndësishme se shëndeti, siç pohojnë.

“Ndoshta shpata nuk e pret kokën e përkulur, por koka e përkulur në çdo rast sëmuret nga kanceri i mushkërive nga grimcat PM10…”- thekson Jana

“Ata po na e mbajnë armën në kokë, arma është ajri i ndotur. A do të rrimë të qetë të presim që arma të krisë, ose do të dalim të luftojmë.” – shprehet një nxënës i shkollës së mesme “Miq të së ardhmes”.

Një pjesë e protestuesve folën edhe për betejat shumëvjeçare në Strumicë dhe në Ohër.

“Nuk është Maqedonia vend për miniera, në territor kaq të vogël nuk mund të ketë kaq shumë miniera. Kjo do të thotë se jemi të dënuar në vdekje të ngadalshme.” – deklaron Krum Velkov, aktivist.

“Rajoni i Ohrit, zona e vetme nën mbrojtjen e UNESKO-s në vendin tonë, kjo qeveri dhe secila para saj do ta shpiejë shumë shpejt para shkatërrimit të plotë. Jemi në rrugë të mirë ta humbim një herë dhe përgjithmonë statusin në UNESKO.”- vlerëson Dragana, SOS, Ohër.

Eko-aktivistët kanë dorëzuar madje 250 kërkesa deri te autoritetet qendrore dhe lokale, për zgjidhje më bashkëkohore në komunikacion, menaxhimin e mbeturinave, gjetjen e ndotësve të ajrit dhe sanksionimin e tyre. Në të kundërt kërcënohen me bllokimin e zgjedhjeve. Hapi i ardhshëm, siç paralajmëruan, do të jetë mbledhja para dyerve të OHIS, ku përveç ruajtjes së rrezikshme të kimikateve helmuese, pohojnë se ka edhe krim, në përpjekjet për shitjen e pronës dhe pastrimin e palicensuar të hapësirave të ish-kombinatit kimik më të madh në vend.

David Oberhuber, drejtori i shoqatës Gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar, në intervistën e së dielës në REL thotë se vendi ka problem të madh me ndotjen e ajrit, ai sugjeron një plan strategjik i cili fillimisht do t’i përmbushte standardet rajonale, e më vonë ato europiane, thotë Oberhuber, të cilat janë ende më të vështira dhe më të larta.

“Fillimisht duhet fokusuar të përbushen standardet rajonale, më vonë edhe ato Europiane. Të realizohet plani për transport publik në kryeqytet, të standardizohen metodat e nxemjes gjatë dimrit, nga njëra anë duhet të investojmë në efikasitet energjetik por nga ana tjetër duhet kujdesur cka përdorim për të ardhur deri te energjia.” -tha David Oberhuber drejtor i GIZ-it. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia