close
EkonomiTop LajmeVendi

EKONOMI: DAUTI-TË KËNAQUR ME INVESTIMET E HUAJA

Screenshot_2

Të krijohen parakushte të stabilitetit politik


Jemi të kënaqur me rrjedhën e investimeve, potencialin që investitorët e huaj shfaqin, vetëm se duhet të krijohen parakushte të stabilitetit politik si gjenerues të atmosferës dhe klimës pozitive për operimin e investitorëve të huaj në Maqedoni, deklaroi kështu ministri pa resor për investime të huaja, Bardhyl Dauti, gjatë një takimi që zhvilloi ditën e sotme me drejtuesit e Zonës së Lirë Ekonomike në Tetovë.

Korniza ligjore që mbështet thithjen e investimeve të huaja në vend, sipas ministrit pa resor për investime të huaja Bardhyl Dauti, është favorizuese. Dauti thekson se janë të kënaqur me mbarëvajtjen e investimeve dhe potencialin që investitorët e huaj shfaqin për të ardhur në Maqedoni, megjithatë, sipas tij, duhet të krijohen parakushte të stabilitetit politik për operimin e investorëve të huaj.

‘Brenda zonave kemi qind për qind lirim të ngarkesave fiskale për investitorët e huaj në 10 vitet e para. Dhe kjo përfshin lirim mbi vlerën shtesë, lirim nga detyrimet doganore, lirim nga kontributet për të punësuarit e kështu me radhë, dhe kjo është një lehtësim jashtëzakonisht i favorshëm që nuk është në vendet e tjera. Është një limit këtu që vetëm në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë mbështeten vetëm investimet në prodhimtari dhe jo në aktivitetet e shërbimit. Ne jemi të kënaqur me rrjedhën e investimeve, potencialin që ata shfaqin për ardhje veçanërisht në Tetovë, vetëm se duhet të krijohen parakushte të stabilitetit politik si gjenerues të atmosferës dhe klimës pozitive për operimin e investitorëve të huaj në Maqedoni.’

Sipas ministrit Dauti, me ligjin për përkrahje financiare, i cili vendos kushte të njëjta për investimet, si për investitorët vendas ashtu edhe të huaj e që vlejnë njëtë edhe për zonat e zhvillimit industrial dhe jashtë tyre, parashihet që investimet të rimbursohen prej 10% të kostos së investimit në fund të vitit fiskal.

‘Kemi kaluar një ligj për përkrahje financiare të investimeve të brendshme dhe të huaja dhe ky ligj nënkupton një trajtim të barasvlefshëm ligjor për dy kategori të investimeve. Ligji parasheh që investimet që gjenerojnë në eksporte, punësime dhe mirëqënie sociale të rimbursohen në masën prej 10% të kostos së investimit në fund të vitit fiskal dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Ky ligj trajton njëtrajtësisht si investimet e brendshme dhe të huaja në zona dhe ato jashtë zonave.’

Këto komente ministri Dauti i bëri gjatë ditës së sotme në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë ku u takua me drejtuesit e kësaj zone, në kuadrin e së cilës veprojnë katër subjekte. Nga këto subjekte dallohet kompania Lear Coorporation e cila ka rreth 1450 të punësuar. /Blerona Jakupi/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia