close
Top LajmeVendi

ESKOBAR: SHBA-të DHE BE-ja BASHKË PËR INTEGRIMIN E BALLKANIT

escobar

BËRNS: TË ZGJIDHET KONTESTI SHKUP-SOFJE  

Shtetet e Bashkuara synojnë marrëdhënie dinamike me gjithë Evropën, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor si pjesë e Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye ambasadorja amerikane në Shkup, Kejt  Bërns pret zgjidhje të shpejtë të kontestit në mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Bashkëbiseduesi i saj në debatin e sotëm në forumin e “Ekonomist” në Shkup, Dimitar Beçev, nga Universiteti i Oksfordit, konsideron se zgjerimi i BE-së nuk do të ndodhë në dekadën që vjen, ndërsa liderët ballkanikë edhe më tej do të duhet të balancojnë në mes premtimeve dhe investimeve të huaja, që të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet.

 

Me vlerësime se rajoni ka nevojë për bashkim me pjesën tjetër të Evropës në mënyrë që të zhvillohet dhe ta ruajë stabilitetin, më shumë politikanë dhe analistë sot mbajtën fjalime në forumin e organizuar nga prestigjiozja “The Economist”. Ambasadorja amerikane Kejt Bërns, duke folur për bashkim në mes SHBA-ve dhe Evropës shprehu optimizëm se Shkupi dhe Sofja shpejt do ta zgjidhin kontestin e ndërsjellë që të zhbllokohet zgjerimi i Bashkimit Evropian.

KEJT BËRNS, AMBASADORE E SHBA-ve NË RMV

“Shpresojmë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria në mënyrë konstruktive do të vazhdojnë të bashkëpunojnë që t’i tejkalojnë dallimet. E ardhmja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është Evropa. Momenti është i rëndësishëm, shpresojmë që kjo të zgjidhet sa më shpejt që është e mundur.”

Analisti nga Universiteti i Oksfordit, Dimitar Beçev, me prejardhje nga Bullgaria, konsideron se para nesh është dekadë kur Bashkimi Evropian nuk do të zgjerohet, ndërsa liderët rajonalë do të duhet të balancojnë shumë që të vazhdojnë të jenë në pushtet.

DIMITAR BEÇEV, UNIVERSITETI I OKSFORDIT

“Rajoni është një balonë, por nuk do të eksplodojë, situata është e qëndrueshme, liderët rajonalë e dinë se nuk do të ketë anëtarësim para vitit 2030. Anëtarësimi nuk do të ndodhë deri në vitin 2030, kështu që pyetja për ata, për shembull për Zaevin, për Vuçiqin dhe për të tjerët është si të vazhdojnë me punë dhe japin rezultate për qytetarët. Kështu që u mbetet shpresa.”

Megjithatë, Sekretari amerikan për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Eskobar, i cili në këtë samit është prononcuar përmes videolidhjes, mbetet në qëndrimin se SHBA-të dhe BE-ja duhet të punojnë për integrimin e gjithë Ballkanit.

GABRIEL ESKOBAR

“Secili vend që hyn në BE, sjell cilësi, kurse këto vende gjeografikisht i takojnë Evropës. Dua të jetë e qartë se për integrimin e plotës, SHBA-të dhe BE-ja punojnë bashkë dhe ky angazhim nuk do të ndalet. Mbetet të mbyllen çështjet e hapura, të zbatohen reformat, kurse Shqipëria, RMV-ja dhe Mali i Zi, sa u takon reformave tashmë kanë bërë progrese”

Ndërkohë edhe Ministri alternativ grek për Punë të Jashtme I ngarkuar për cështje evropiane, Miltiadis Varviciotis, gjatë vizitës së punës në Shkup, bëri thirrje që menjëherë të caktohet konferenca e parë ndërqeveritare për nisjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në./KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia