close
Vendi

FANON: PRIORITET LIDHJA ENERGJETIKE E RAJONIT

3D552F89-ABBC-4877-A84C-32315A62AEA5

SHBA-të INKURAJOJNË TREG TË BURIMEVE TË ENERGJISË, JO VARËSI


SHBA-të janë të interesuara që në këtë pjesë të Ballkanit të krijojnë treg të vërtetë të burimeve të energjisë, përkundër varësisë së tanishme të Maqedonisë së Veriut nga gazi rus, i cili vjen përmes Bullgarisë. Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit për energjetikë Frensis Fenon, i motivon autoritetet e Maqedonisë së Veriut që të kyçen të paktën edhe në dy burime të gazit, duke premtuar se kjo do të nxisë investime të reja amerikane në vend. Kryeministri Zoran Zaev informoi se vazhdojnë bisedimet me Helenik Petroleum për ristartim me punë të rafinerisë në Shkup.


Fakti që për momentin rajoni ka vetëm një furnizues të energjisë, sipas ndihmës-sektretarit amerikan të shtetit për energjetikë, është varësi, jo treg i vërtetë. Për këtë arsye SHBA-të e motivojnë Maqedoninë e Veriut të kyçet jo vetëm në gazsjellësin e planifikuar në mes Bullgarisë dhe Greqisë, me gjatësi rreth 180 kilometra, i cili do të sjellë gaz nga Azerbejxhani, por të kyçet si aksioner në rezervuarin lundrues komercial për gaz të lëngshëm, që planifikohet në afërsi të qytetit grek Aleksandropolis. 


“Kur një vend është i varur nga një furnizues kjo ndikon në mënyrën në të cilën shteti konkret mund të funksionojë dhe t’i realizojë politikat e tij. Do të thotë ekzistojnë implikime gjeo-politike që janë të rëndësishme. SHBA-të kanë interes afatgjatë për sigurinë e energjetikës në raport me varësinë nga energjia, edhe për shumë vite, në fakt që nga koha e presidentit Regan, dëshiron të promovojë diversifikim të furnizimit me energji, llojet dhe itineraret. Në qoftë se keni vetëm një burim atëherë ky nuk është treg, por varësi.” 
Frensis Fenon -Ndihmës-sekretar I Shtetit Për Energjetikë , SHBA.


Duke e sqaruar peshën gjeo-politike në treg të hapur të burimeve të energjisë, kur Greqisë i jepet detyrë udhëheqëse, Fenon theksoi se Maqedonia e Veriut mund të pozicionohet si qendër rajonale, për shkak të pozitës gjeografike, për rafinim  dhe distribuim të produkteve, që mund të tërheqë edhe investime të reja amerikane. Kryeministri Zaev, në planet për pavarësi energjetike të vendit, përveç interkonektorit me Greqinë dhe platformën lundruese për gaz të lëngshëm, ka përmendur edhe një plan tjetër. 

“Biseduam edhe vënien e sërishme në funksion të naftësjellësit Selanik-Shkup, i ndërtuar në vitin 2000 dhe i cili pas ndërprerjes së punës të rafinerisë Okta në vitin 2013 nuk është në funksion. Do të bisedojmë për këtë me Oktën, me Helenik Petroleum dhe shpresoj se do të gjejmë zgjidhje miqësore që ky kapacitet së shpejti të vihet në funksion.” tha Kryeministri Zoran Zaev.


Platforma lundruese afër Aleksandropolis mendohet që kryesisht të distribuojë gaz të lëngshëm amerikan drejt Evropës lindore dhe qendrore. Për këtë projekt gjatë ditës së hënë u bisedua në tryezë të rrumbullakët në Selanik, në të cilën mori pjesë edhe sekretari amerikan i shtetit Majk Pompeo, ndërsa nga Maqedonia e Veriut morën pjesë tre ministra të kabinetit qeveritar. 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia