close
Sport

FIFA: MASA DRASTIKE PËR TË NDALUR RACIZMIN

Racizmi

Federata ndërkombëtare e futbollit botëror FIFA, ka vendosur të ndryshojë rregulloren e saj në lidhje me racizmin në futboll dhe hyn menjëherë në fuqi vendimi për dyfishim dënimi, duke e çuar në 10 ndeshje minimumin e dënimit për racizëm, ndërsa gjoba minimale do të jetë 20.000 dollarë për shkeljen e parë të verifikuar ndaj një klubi apo federate.

Gjithashtu edhe futbollistët do të lejohen të marrin pjesë në seancat gjyqësore dhe të flasin në lidhje me episodet e racizmit.Këto ndryshime  vijnë si pasoj e shumë episodesh raciste shfaqur sezonin e fundit, në kampionate të ndryshme dhe në ndeshje ndërkombëtare.

Në Kodin e ri të Disiplinës përkufizohet qartë edhe se çfarë do të kuptohet me shfaqje raciste, duke u cilësuar e tillë çdo diskriminim për shkak të ngjyrës së lëkurës, origjinës etnike, gjeografike apo sociale, seksit dhe orientimit seksual, gjuha, feja, opinionet politike dhe çdo shfaqje e ngjashme.

Vlen të theksohet se Kodi i ri i Disiplinës, i miratuar nga FIFA, do të fillojë të aplikohet vetëm në aktivitetet e organizuara nga kjo e fundit, duke nisur me eliminatoret e botërorit 2022, ndërsa në ditët në vijim rregullorja e re mund të implementohet nga UEFA, por edhe liga të ndryshme europiane e botërore. /Agjencitë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia