close
Kulture

FILMI “QUO VADIS, AIDA?”, MË I MIRI NË EVROPË

Jasmilla-Zhbanic

Filmi “Quo vadis, Aida?”, i regjisores nga Bosnje e Hercegovina, Jasmilla Zhbaniç, është shpallur filmi më i mirë evropian për vitin 2021. Filmi u shpërblye në ndarjen e 34-të, të shpërblimeve për filmin më të mirë në Evropë, ngjarje e cila u moderua nga Berlini.

Zhbaniq po ashtu u shpërblye në kategorinë e regjisë më të mirë, derisa aktorja kryesore në filmin i cili flet rreth gjenocidit në Srebrenicë të kryer në verën e vitit 1995, Jasna Gjuriçiç u shpall aktorja më e mirë.

“Kemi përgjegjësi që publikut t’ia ofrojmë të vërteten, ndoshta është e vërtetë e rëndë, nuk është profitabile, por duhet të kemi tregime komplekse më mënyrë që publiku ynë të jetë i gatshëm për kohëra komplekse që tashmë filluan”, deklaroi gjatë një adresimi online, regjisorja Zhbaniç.

Këtë film, Zhbaniç ua dedikoi nënave të Srebrenicës, duke theksuar se gratë gjithmonë gjejnë mënyrë të ndërtojnë paqen në shtetin e shkatërruar.

“Gratë gjithmonë gjejnë zgjidhje në tollovinë e krijuar nga burrat”, tha Zhbaniç.

Në anën tjetër, aktorja kryesore, Jasna Gjuriçiç, gjithashtu gjatë fjalimit të saj online, shpërblimin ua dedikoi të gjitha viktimave dhe nënave, dhe falenderoi ekipin e filmit që i mundësoi, siç tha, të thotë gjithçka që mendon rreth tragjedive të luftërave në ish-Jugosllavi.

Në këtë film, luan edhe aktori nga Kosova, Alban Uka.

Shpërblimet për filmin më të mirë evropian ndahen që nga viti 1998, nën emrin “Felix Awards”, derisa quhen edhe si Oscarët evropianë.

Filmi “Quo vadis, Aida?” u realizua në bashkëpunim të njëzeta shtëpive të produksionit. Paraprakisht ishte i nominuar për shpërblimin e Akademisë amerikane të Filmit, Oscar, ndërkaq mori edhe shpërblim nga Akademia britanike e Filmit, BAFTA, dhe është fitues i shpërblimit Independent Spirit Awards.

Filmi trajton ankthin e një nëne e cila tenton të shpëtojë dy djemtë e saj dhe bashkëshortin nga forcat serbe të udhëhequra nga Ratko Mlladiç, të cilat pas hyrjen në zonën atëkohë të mbrojtur të OKB-së në Srebrenicë, vranë më shumë se 8 mijë boshnjakë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë këtë krim, në vitin 2007 e vlerësoi si vepër e gjenocidit. /REL

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia