close
Top LajmeVendi

GAJSER PËR “TANJUG”: KAM DETAJE TJERA PËR RASTIN “ZHVATJA”

gajser-tanjug-1

“Do t`i publikoj nëse dështojnë organet hetuese”


Gazetari i gazetës italiane “La Verita”, Laris Gajser, që publikoi xhirimet e bisedave të të akuzuarve në rastin “Zhvatja” në vend, në një prononcim për agjencinë e lajmeve serbe TANJUG, ka theksuar se posedon materiale tjera dhe se detaje të reja do të publikojë nëse organet hetuese të Maqedonisë së Veriut nuk e përfundojnë punën e tyre. Gajser ka shtuar se materialet që dëshmojnë aferën i ka publikuar atëherë kur ka marrë konfirmim se i posedon edhe Prokuroria e Maqedonisë dhe se, siç ka thënë, kanë ekzistuar dyshime se do të shkatërrohen.

Isha kundër publikimit të këtyre informacioneve, derisa u binda se materiali i njëjtë është në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut – ka thënë gazetari Laris Gajser i cili ka marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, duke shtuar se xhirimet e bisedave kompromituese i ka marrë falë një rrjeti në Maqedoninë e Veriut, për të cilin ka thënë se gjendet në administratë. Ai ka bërë të ditur se nuk dëshiron ta zbulojë burimin. Duke potencuar se afera “Zhvatja” që është në dëm të Qeverisë së tanishme të kryesuar nga Zoran Zaevi është shumë e ngjashme me aferën e përgjimeve që rrënoi ish-pushtetin e Kryeministrit Gruevski. Gajsër thotë se dallimi është shumë i rëndësishëm.

“Dallimi është se ne i publikojmë dëshmitë që i kemi marrë nga brenda, nga sistemi maqedonas, nga njerëz që janë pjesë e atij sistemi, derisa në kohën e Gruevskit bëhej fjalë për rast ndërkombëtar.” –tha gazetari i “La Verita” Laris Gajser.

Gajser gjithashtu ka deklaruar se posedon shumë materiale që ndërlidhen me rastin ‘Zhvatja” por se për momentin nuk mund t`I publikojë, sic thotë, për shkak të frikës për sigurinë e burimit të tij.

“Publikimi i materialeve tregon se si sistemi gjyqësor është ngulfatur në korrupsion në Maqedoni dhe me siguri se do të rrezikojnë jetën e dikujt. Materiali që deri më tani është publikuar mjafton të vazhdojë hetimi. Nëse nuk mjafton, ne kemi shumë materiale për të publikuar.” –deklaroi Gajser.

Pyetjes rreth motiveve për publikimin e materialit, Gajser është përgjigjur se ka dashur të tregojë se sundimi i së drejtës dhe demokracisë nuk funksionojnë në Maqedoni dhe se kjo është pasojë e pushtetit aktual. Ai këtë e ka ilustruar me rastin e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë Dragi Rashkovski dhe manipulimet me një tender ndërkombëtar. Por, nga ana tjetër, nga LSDM-ja pretendojnë se gazetari Gajser ka lidhje me opozitaren VMRO-DPMNE. Socialdemokratët disa herë kanë kërkuar përgjigje nga opozita nëse lideri i tyre partiak Mickoski është takuar me gazetarin Laris Gajser para shfaqjes së kësaj afere. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga opozitarja VMRO-DPMNE.  /Klan Macedoni/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia